Ban Ki-mun: Shqetësim për raportet Kosovë-Serbi

Jul 16, 2012 | 9:20

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun ka deklaruar se në udhëtimin e tij në Kosovë dhe Serbi nga liderët e tyre do të kërkoje “bashkëpunim të plotë” dhe se ishte i “shqetësuar” për gjendjen e raporteve ndërmjet tyre.

Për një kohë “isha i shqetësuar nga gjendja e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe dështimin e tyre për pajtim”, tha Ban Ki-mun, në një intervistë me mediat e Beogradit, të publikuar të dielën.

Ban Ki-mun, ka theksuar se “të dy palët duhet të bashkëpunojnë plotësisht në interesin e prosperitetit të tyre dhe sigurisë në rajon” dhe shtoi se “kjo është ajo për të cilën do të bisedoj me liderët e Serbisë dhe Kosovës”.

Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë të Serbisë kanë shprehur mospajtime për vizitën e sekretarit të përgjithshëm në Kosovë.

Presidenti Tomisllav Nikolic tha se vizita e tij në Prishtinë ka probleme.

Kryeministri i nominuar, Ivica Daçic, tha se “është obligim i tij si sekretar i përgjithshëm i OKB-së ta respektoj statusin e Kosovës brenda Kombeve të Bashkuara, që do të thotë se Kosova nuk është në OKB si shtet i pavarur”.

Por, Ban Ki-mun, ka theksuar se vizita e tij ka të bëjë me faktin se në Kosovë ekziston misioni i OKB-së.

“Detyra dhe përgjegjësia ime është që të takohem me njerëzit atje”, tha Ban Ki-mun.

Gjatë turneut në Ballkan, të cilin e fillon këtë javë, ai do ta vizitoj Slloveninë, Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën, raporton AFP.

© Panorama.al

Te lidhura