Kandidati për deputet, Ilir Alimehmeti, ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave, që mban firmën e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për kalimin e pronësisë së godinave të ish-Uzinës së Autotraktorëve, të cilat ndodhen në zonën e Shkozës, te shoqëria shtetërore KAYO.

Më këtë vendim, duke anashkaluar autoritetin e Bashkisë së Tiranës, synohet ndërtimi i fabrike armësh në këtë zonë urbane.
I ftuar në një intervistë për News24, Alimehmeti e cilësoi vendimin si “të paprecedentë” dhe akuzoi qeverinë për shkelje të hapur të ligjit dhe injorim të interesit publik.
“Sipas VKM-së së vitit 2017, këto toka i kaluan Bashkisë së Tiranës për zhvillim me destinacion arsimor, kulturor e sportiv. Në tetë vite nuk është bërë asgjë, dhe sot qeveria, në vend që të kërkojë llogari për këtë dështim, vendos të kthejë pronën dhe të ndërtojë aty një fabrikë armësh, në mes të qytetit,” u shpreh Alimehmeti.
Ai shtoi se vendimi bie ndesh me standardet e sigurisë dhe planifikimit urban. “Edhe në Poliçan, dikur, fabrikat e armëve nuk ishin afër zonave të banuara. Ndërkohë, Tirana ka mjaft hapësira të përshtatshme jashtë qendrës urbane për çdo projekt të tillë, nëse do të ishte me të vërtetë i nevojshëm,” tha ai.
Sipas tij, kjo është një tjetër provë se qeveria nuk e ka prioritet qytetarin: “Repartet ushtarake në Dajt po privatizohen për restorante, ndërsa pronat që mund të shërbenin për shkolla po kthehen në fabrika armësh.”
Alimehmeti paralajmëroi masa ligjore ndaj këtij vendimi. “Do të ndjekim çdo rrugë ligjore për të ndalur këtë vendim arbitrar. Çështja do të shtrohet edhe në Këshillin Bashkiak, pasi çdo tjetërsim prone bashkiake kërkon shumicën e cilësuar – 3/5 e votave. Kjo është mënyra se si vepron Partia Socialiste, me forcë dhe pa transparencë,” përfundoi ai.
© Panorama.al











