Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka komentuar lajmin se zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku është vënë nën hetim nga SPAK, ku deklaroi se nëse lajmi konfirmohet zyrtarisht, kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen.
“Nëse lajmi konfirmohet zyrtarisht Rama duhet të dorëhiqet. Balluku është personi më i rëndësishëm në qeveri, jo vetëm në dukje, por është edhe ministrja me portofolin më të madh dhe njeri me mbështetje politike të fortë”, tha ai në “Kjo Javë”, në News 24.
Deputeti demokrat theksoi se kjo nuk është hera e parë që bashkëpunëtorë të afërt të kryeministrit përfshihen në hetime apo skandale korruptive, duke përendur edhe ish-kryebashkikaun e Tiranës, Erion Veliaj.
Salianji tha se kemi të bëjmë me një model korruptiv kriminal, që sipas tij, drejtohet nga Edi Rama, ndërsa e akuzoi kryeministrin si “shtysën kryesore për paligjshmëri”.
“Nuk kemi të bëjmë më me përgjegjësi individuale, duket që shtysa kryesore për paligjshmëri është Edi Rama. Nuk mundet të jetë i gjithë ekipi dhe ky të jetë më i pastri. Përgjegjësi për të gjitha vendimmarrjet është Rama, ta mbyll historinë vetë”, tha Salianji.
Ervin Salianji: Nëse lajmi konfirmohet zyrtarisht Rama duhet të dorëhiqet. Balluku është personi më i rëndësishëm në qeveri, jo vetëm në dukje, por është edhe ministrja me portofolin më të madh dhe njeri me mbështetje politike të fortë.
Është drejtuesja politike për zgjedhjet e pjesshme të Tiranës. Politikisht është njeriu më i rëndësishëm jo vetëm për shkak të vendimmarrjes, por edhe për shkak të besimit që i është dhënë nga Edi Rama për të qenë pësoni i pushtetshëm në qeveri.
Nëse konfirmohet që të jetë ashtu siç është raportuar, Edi Rama duhet të dorëhiqet. Do të ishte i dyti rast që numri dy pas Edi Ramës, numri dy pas tij në Tiranë, Erion Veliaj dhe një buqetë ministrash, që tregojnë një model korruptiv kriminal të drejtuar nga Edi Rama.
Nuk kemi të bëjmë më me përgjegjësi individuale, duket që shtysa kryesore për paligjshmëri është Edi Rama. Nuk mundet të jetë i gjithë ekipi dhe ky të jetë më i pastri. Përgjegjësi për të gjitha vendimmarrjet është Rama, ta mbyll historinë vetë. Ose të bëhet çdo përpjeke që ta largojmë një orë e më parë. Kemi të bëjmë me një skemë të mirëfillte korrupsioni.
© Panorama.al












