“Balluku dhe Qeveria i kanë ditët e numëruara”- Alimehmeti për dosjet e Zv/kryeministres: Duhet të ishte dorëhequr ose shkarkuar! Fundi i saj politik dihet

Jan 9, 2026 | 18:15

Zv/kryeministrja Belinda Balluku duhet të ishte dorëhequr që kur SPAK nisi hetimet ndaj saj dhe e mori të pandehur, pasi mund të rrezikonte hetimet dhe prishte provat dhe në momentin që nuk e bëri këtë akt moral dhe politik, duhet të ishte shkarkuar nga detyra prej kryeministrit.

alimehmeti news 24

Kështu u shpreh sot në “News 24”, ish-kandidati i Partisë Demokratike dhe anëtari i saj, njëkohësisht anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti.

I pyetur për zhvillimet politike të pritshme, me protestën kombëtare të opozitës, strategjinë e saj si dhe seancën e 22 janarit në Kushtetuese për fatin e Ballukut në lidhje me pezullimin nga detyra, politikani u shpreh qartë për atë që duhet të kishte ndodhur dhe jo për atë që do të ndodhë.

Ai tha se fundi i Ballukut dhe Qeverisë dihen, i kanë ditët e numëruara, por zv/kryeministrja dhe eprori i saj nuk patën kurajon që të bënin aktin moral dhe politik pas akuzave nga SPAK, por e dërguan ankimimin e vendimit të GJKKO për pezullimin në Kushtetuese.

“Duhet të kishte ikur me kohë, pa u kërkuar imuniteti. Duhet të ishte dorëhequr shumë më parë, që në fillim të nisjes së hetimit nga SPAK, sa i përket detyrës si ministre. Në momentin që ajo s’e bëri, ishte detyrë e kryeministrit që ta shkarkonte. GJKKO e pezulloi, ai e ankimoi në Gjykatën Kushtetuese, nuk duhet të kishte ndodhur fare kjo, ai duhet ta kishte shkarkuar”, u shpreh Alimehmeti mes të tjerash.

Ish-kandidati për deputet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit nga listat e hapura të PD, nënvizoi se aksioni opozitar është i qartë, synimet të deklaruara dhe fundi i pritshëm tashmë i ditur.

Ata kërkojnë qeveri teknike, dorëheqje të kësaj qeverie, zgjedhje të lira dhe demokratike, si dhe lejimin e drejtësisë që të bëjë punën e saj.

“Nuk po i prezumojmë pafajësinë Belinda Ballukut, por duhet të lejonte hetimet të vijonin, sepse rrezikon dosjen, rrezikon hetimet dhe këtë e thotë Prokuroria, mund të prishë provat. Fundi i kësaj historie dihet, dimë datën kur është hapur, dimë kur do diskutohet, por e dimë se si do përfundojë, e dimë fundin e kësaj telenovele. Objektivi është i qartë, të shkurtojmë ditët e kësaj qeverisjeje sa më shumë dhe të vijojmë me protestat, që qeveria të largohet dhe të shkojmë në zgjedhje të qeta”, u shpreh ai më tej.

Alimehmeti theksoi gjithashtu se:

“Zgjidhja është politike, duhen zgjedhje të lira e të ndershme, ndryshe nuk ka zgjidhje për Shqipërinë. Balluku dhe Rama i kanë ditët e numëruara”.

Po nëse Kushtetuesja do e lërë në detyrë zv/kryeministren Balluku, cila do të jetë nisma e opozitës dhe reagimi i saj?

“Nëse Kushtetuesja do të lërë në detyrë Ballukun, për masat e mëtejshme dhe aksionin opozitar duhet të pyesni drejtuesit e PD-së, pasi unë nuk jam aty. Por ajo që dua të them është qeveria teknike, zgjedhje të lira e të ndershme, caktimi i tyre sa më parë dhe dorëheqja e kësaj qeverie”, tha politikani.

Në fund ai theksoi edhe një herë se objektivi i PD-së është i qartë dhe duhet të vijojë me protesta të forta deri në rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhjet e lira, duke shprehur besimin se do ia arrijë, pasi edhe pse zgjedhjet e fundit u manipuluan nga mazhoranca, PD arriti mbi 500 mijë vota, që nuk janë pak.

“Unë besoj se opozita do e arrijë objektivin e saj për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme, edhe pse e lehtë nuk është”, përfundoi Alimehmeti.

© Panorama.al

Te lidhura