Balla, Pollos: Ke marrë 1.2 milionë euro rryshfet

Oct 21, 2011 | 11:45

Genc Pollo dhe Taulant Balla

Rreth një muaj më parë, për 13 ditë me radhë, gazeta “Panorama” zbuloi dokumentet dhe korrespondencën zyrtare mes institucioneve lidhur me një kontratë mes Ministrisë së Transporteve dhe firmës “ATU”, për shtrimin e fibrave optike në rrugët kombëtare të vendit. Kontrata e firmosur nga ministri Olldashi i jepte të drejtën firmës që të hapte të gjitha rrugët kombëtare të vendit dhe të shtronte nën to fibra optike për komunikimin. Kontrata i jepte firmës të drejtën e përdorimit ekskluziv të rrugëve për një periudhë 40-vjeçare, me të drejtë rinovimi. Firmës “ATU” i garantohej se rrugët, nën të cilat ajo kishte shtruar 6 tuba për fibrat optike, nuk do të jepeshin në përdorim të ndonjë firme tjetër publike apo private për këtë funksion. Kontrata i jepte të drejtën firmës që të tregtonte, me disa kushte të përcaktuara nga vetë ajo, 4 nga tubat me fibra optike, ndërkohë që për 2 të tjera kishte të drejtë t’i përdorte vetë. Në të njëjtën kohë, Ministria e Inovacionit kishte shpallur tenderin për ndërtimin e rrjetit kombëtar me bazë të gjerë. Ky tender, në parim binte ndesh me kontratën e dhënë nga Ministria e Transporteve. Tenderi i Ministrisë së Pollos është shtyrë dy herë deri tani dhe nuk ka asnjë njoftim për shprehjen e interesit. Gazeta botoi reagimet zyrtare të AKEP-it dhe Autoritetit të Konkurrencës, ku e drejta e dhënë nga Ministria e Transporteve për një firmë të vetme për përdorimin e rrugëve kombëtare në mënyrë ekskluzive, sipas tyre, kufizonte konkurrencën në treg.

Zhvillimet e fundit në sektorin e komunikimeve elektronike janë bërë pjesë e interpelancës së kër-kuar nga deputeti socialist Taulant Balla me ministrin për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo. Sipas Ballës, shtyrja për të disatën herë e tenderit të MITIK hedh dyshime mbi ecurinë e tij dhe, nga ana tjetër, e ka akuzuar ministrin për marrjen e një ryshfeti 1.2 milionë euro për favorizimin e një kompanie në ndërtimin e rrjetit kombëtar me bazë të gjerë. Por, përballë këtyre pyetjeve dhe akuzave, ministri Pollo ka preferuar që fillimisht të bëjë një paraqitje të arritjeve në sektorin e komunikimeve elektronike, duke bërë krahasimin me qeverisjen e socialistëve, ndërkohë që akuzave u është përgjigjur me replikë të ashpër, të cilat në fund acaruan situatën.
Deputeti Balla
“OST e ka bërë një pjesë të investimit lidhur me shtrirjen e fibrës optike në korridoret e veta transmetuese. Pas anulimit të variantit të përdorjes së OST-së, u kalua në variantin e çarjes së rrugëve kombëtare. Këtu filloi edhe lufta ndërmjet ministrave të Saliut se kush e kishte të drejtën për dhënien e lejes. Zotit Pollo i kishte ardhur zogu në dorë dhe duhet ta shtrydhte. Në fillim gjeti kompaninë e interesuar, me të cilën u ra dakord për ‘shifrën’ dhe më pas u përcaktuan kriteret. Ndërkohë, një ministër tjetër e kishte dhënë lejen për shtrirjen e fibrës optike. Zoti ministër, unë ju pyeta se pse po shtyhet afati i shpalljes së fituesit të tenderit për rrjetin kombëtar me brez të gjerë? Sepse kompania ‘ATU’ ka kërkuar në Gjykatën e Shkallës së Parë pikërisht pezullimin e procedurave të ndërmarra nga Ministria juaj për dhënien e lejes për REKAB. Është shumë e thjeshtë, ju synoni të jepni me koncesion diçka që një kompani tjetër e ka ndërtuar tashmë, sepse një ministër tjetër e ka dhënë. Ryshfeti është marrë, ndërsa qeveria është në luftë për trojet dhe zarfet e pushtetit…. Siç dihet, në tregun e komunikimeve elektronike, licencat Wimax janë po aq të kërkuara, madje edhe më shumë, sesa licencat 3G.  Nga dhënia e dy licencave 3G, në arkën e shtetit u derdhën 46 milionë euro (31.4 milionë euro licenca e parë dhe 15.1 milionë euro licenca e dytë). Ndërsa çmimi minimal i përcaktuar nga AKEP-i është 12.5 milionë euro. Pra, zoti Pollo po i fal kompanisë fituese të rrjetit kombëtar më brez të gjerë të paktën 12.5 milionë euro. Por, në fakt, dëmi që i shkaktohet arkës së shtetit është 12.5 milionë euro x 4 licenca = 50 milionë euro…. Zoti Pollo, konkluzioni lidhur me procedurat e ndjekura për ndërtimin e një rrjeti kombëtar me bazë të gjerë tregojnë qartë që ju keni parapërcaktuar fituesin. Pyetja është shumë e thjeshtë. Sa është shuma, ryshfeti që ju keni marrë? Një milion e dyqind mijë euro? A keni llogari bankare në një bankë arabe në Larnaka të Qipros? A keni qenë në këtë bankë rregullisht gjatë kohës që keni qenë ministër? Për t’ju ndihmuar në kujtesën tuaj, po ju kujtoj disa data: 11 qershor 2007, 5 shtator 2007, dhjetor 2010”.
Ministri Pollo
“Ajo që Shqipërisë i duhet është një rrjet i fortë me teknologjinë më të mirë sot të njohur, nesër mund të ndryshojë, që janë fibrat optike të shtrira në të gjitha anët e vendit. I shtrirë në pjesët më parë Tiranë-Durrës, apo Durrës-Vlorë, ku është përqendruar më shumë ekonomia e vendit, por edhe në pjesë periferike, por që kanë të drejtë të gëzojnë internetin me brez të gjerë, ashtu siç e gëzojmë në Tiranë. Për të arritur cilësi interneti kemi hapur një garë koncesionare, e cila mbahet në mes të muajit të ardhshëm për të ftuar ato kompani ndërkombëtare, përfshirë dhe shqiptare. Këtu nuk  ka përkufizime nacionale, por ka kërkesa financiare të qarta në kuptimin që duhet të kesh përvojë, të kesh bërë në botë aktivitete të tilla dhe të kesh një shëndet financiar të prodhuar me certifikata bankare për të mos lejuar kompanitë fantazmë që të futen. Këtu synojnë kriteret më se të qarta të garës koncesionare që ne kemi shpallur dhe është në praktikën e shumë vendeve europiane që për të pasur një operator të ri, të vendosin kufizime, ashtu siç kemi bërë dhe ne me ndërgjegje të plotë kundrejt operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg, sepse do të ishte shumë e thjeshtë që këta operatorë që operojnë në Shqipëri në 10 vitet e fundit ta merrnin në këtë mënyrë bashkë me benefitet që gara sjell. Praktikisht asgjë nuk i ka penguar dhe unë i kam thënë secilit, ballë për ballë, në zyrën time: Asgjë nuk i ka penguar që të ndërtojnë një ‘backbone’ të tyren me fibra optike, përveçse do të investonin një shumë të përafërt me 100 milionë dollarë. Ata kanë rrjetet e tyre, janë relativisht të pamjaftueshme. Ajo për të cilën Shqipëria dixhitale dhe gjithë vendi ka nevojë, është një rrjet kombëtar nga Hasi në Kolonjë, në Ksamil dhe në Koplik, që do të përfshijë dhe komunat e varfra mbi të cilat pastaj mund të ndërtohen rrjetet fundore, që do të shkojnë te shtëpia e çdo përdoruesi”.

Debati në Parlament
Balla:
Më datë 21.10.2010, Sali Berisha ka firmosur dhënien e lejes për vendosjen e kabllos nëndetare ndërkombëtare me fibër optike Bari (Itali) – Gjiri i Lalzit (Shqipëri), projekti “Balkans – Italy Network”. Dy muaj para skadimit të kësaj lejeje të firmosur nga Sali Berisha, vetë kryeministri bën një vendim tjetër që ndryshon të parin dhe e shtyn afatin edhe për 18 muaj të tjerë, deri më 28 shkurt 2013. Kjo është një histori e qartë klientelizmi, servilizmi dhe sekserllëku të sevdallinjve nga kjo anë e Adriatikut.
Pollo: Këtu u përmend që është dhënë një leje për të shtruar një kabllo nënujore kompanisë “UNI-Fi Holding”. Po është dhënë një leje vitin e kaluar dhe meqë është dhënë një leje përtej investimit që ka bërë, ka nevojë që të mbledhë kapital nga bankat. Është një kompani ndërkombëtare me seli në  Nju Jork. Në një vështirësi financiare e kërkoi me shkrim shtyrjen e afatit, dhe kjo iu dha me VKM-në e dytë, që u citua këtu dhe këtu s’ka asgjë të keqe.
Balla: Zoti Pollo, konkluzioni lidhur me procedurat e ndjekura për ndërtimin e një rrjeti kombëtar me bazë të gjerë, tregojnë qartë që ju keni parapërcaktuar fituesin. Pyetja është shumë e thjeshtë. Sa është shuma, ryshfeti që ju keni marrë? Një milion e dyqind mijë euro? A keni diskutuar me Sali Berishën lidhur me këtë ryshfet? A keni llogari bankare në një bankë arabe në Larnaka të Qipros? A keni qenë në këtë bankë rregullisht gjatë kohës që keni qenë ministër? Për t’ju ndihmuar në kujtesën tuaj, po ju kujtoj disa data: 11 qershor 2007, 5 shtator 2007, dhjetor 2010.
Pollo: Me siguri nuk jam i pari që po e mendoj, madje nuk jam as i pari që po e them që disa deputetë të opozitës, jo të gjithë, po manifestojnë në mënyrë të përsëritur një deformim njerëzor, ndoshta deformim anatomik të ngatërrimit të anusit me faringun, duke na vënë para një vështirësie njerëzore për të gjetur mënyrën si t’i përgjigjemi. Unë do të preferoja mënyrën e përgjigjes së Sokratit, të filozofit të lashtë të Greqisë, që kur i kafshoi këmbën qeni, u tha miqve të vet që nuk mund t’i përgjigjej me të njëjtën monedhë.
Balla: Sipas njoftimit publik të Ministrisë suaj, qeveria e Republikës së Shqipërisë ka vendosur të japë me koncesion nëpërmjet një partneriteti të përshtatshëm privat – publik, ose një bashkim të përkohshëm të shoqërive, për të vendosur, instaluar dhe menaxhuar infrastrukturën e rrjetit kombëtar me brez të gjerë (REKAB), në Republikën e Shqipërisë. Përse kriteret janë hartuar në mënyrë të tillë që të përjashtohet çdo kompani shqiptare?
Pollo: Për të arritur cilësi interneti kemi hapur një garë koncesionare, e cila mbahet në mes të muajit të ardhshëm, për të ftuar ato kompani ndërkombëtare, përfshirë dhe shqiptare. Këtu nuk  ka përkufizime nacionale, por ka kërkesa financiare të qarta në kuptimin që duhet të kesh përvojë, të kesh bërë në botë aktivitete të tilla dhe të kesh një shëndet financiar të prodhuar me certifikata bankare, për të mos lejuar kompanitë fantazmë që të futen.
Balla: Do të ta thosha në fund, por do të ta them në fillim. Ti merresh vesh qartë kur gënjen se të skuqen veshët. Ndërmjet interesit të qytetarëve, të zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë sonë dhe interesave të xhepave të Kryeministrit, familjes dhe ministrave, kjo qeveri ka zgjedhur xhepat.\

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura