
Policia e Shkodrës kallëzon për ndjekje penale në prokurori dy prej zyrtarëve vendorë të qarkut. Sipas saj, kryebashkiaku i Koplikut dhe kryekomunari i Postribës kanë lëshuar dokumente false për persona të ngujuar nga gjakmarrja, me qëllim përfitimin e azilit në Belgjikë. Ky veprim vjen vetëm pak ditë pas vizitës në Shqipëri të Fredyy Roosemont, drejtor i Përgjithshëm i Emigracionit dhe Azilit në Belgjikë. Ai bëri publik faktin që muajt e fundit ka një dyndje të shtetasve shqiptarë, të cilët po kërkojnë azil në shtetin belg dhe si argumente përdorin vërtetime të marra nga institucione të ndryshme, ku në qendër të vëmendjes kanë fenomenin e gjakmarrjes. Nën akuzë për shpërdorim detyre, duke falsifikuar dokumentet janë kryetari i Bashkisë së Koplikut, Ramadan Lika dhe kryekomunari i Postribës, Faz Shabaj.
Sikurse bëhet e ditur, Drejtoria Kundër Krimit Financiar, pranë Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër, kanë referuar në prokurori materialet në ngarkim të dy drejtuesve të njësive vendore në qarkun e Shkodrës, Lika dhe Shabaj. Sipas burimeve nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës, mësohet se dy krerët vendorë, ai i Bashkisë së Koplikut në rrethin e Malësisë së Madhe dhe kryekomunari i Postribës akuzohen se duke shfrytëzuar postet e tyre drejtuese, kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara për persona që janë në hasmëri. Shtetasit, të cilët përdornin këto dokumente të falsifikuara, duke përfituar nga lëvizja e lirë, pasi kanë shkuar në vendet e zonës “Shengen”, kryesisht në Belgjikë, kanë aplikuar për azil pranë organeve kompetente në këto vende. Kërkesat e tyre për azil kanë qenë të shoqëruara me vërtetime të firmosura nga drejtuesit vendorë të këtyre zonave, ku thuhej se ishin në konflikte apo kishin probleme me fenomenin e gjakmarrjes. Por nga hetimet e kryera nga një grup pune i ngritur për këtë qëllim prej pak ditësh ka rezultuar se këto vërtetime janë lëshuar pa u mbështetur në ndonjë bazë ligjore, në shumicën e rasteve të falsifikuara, pasi personat për të cilët ishin lëshuar këto vërtetime, nuk figuronin të ishin në hasmëri apo gjakmarrje. Një njoftim për shtyp, policia bën të ditur se bashkëpunimi me organet policore belge, ka konstatuar faktin, se praktikat e dorëzuara nga shtetasit shqiptarë për të përfituar azil ishin: vërtetime të lëshuara nga komunat ose Bashkia Koplik dhe vërtetime nga shoqata “Misionarët e Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve” të Shqipërisë, me qendër në Shkodër. Nga ana e Policisë së Shtetit mësohet se janë administruar gjithashtu dhe të gjithë dokumentet e sekretarit të shoqatës së pajtimit të gjaqeve. Aktualisht strukturat e Policisë së Shtetit vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjithë personave të implikuar dhe dokumentimin e veprimtarisë së tyre, ndërsa për dy zyrtarët vendorë dosja është në duart e Prokurorisë.
Azilkërkuesit
Në dy muajt e fundit kanë kërkuar azil në Belgjikë 161 shtetas shqiptarë. Sipas drejtorit belg të Emigracionit, pjesa më e madhe e tyre janë nga Shkodra, pikërisht 60 për qind e rasteve. Gjatë vizitës javën e shkuar, ai kërkoi ndërprerjen e këtij fenomeni në vendin tonë, duke bllokuar lëshimin e vërtetimeve për persona që duan të përfitojnë azil pas petkut të fenomenit të gjakmarrjes.
Kryebashkiaku Lika: Çdo vërtetim, i protokolluar

Kryetari i Bashkisë Koplik, Ramadan Lika, e ka pohuar faktin që ai ka lëshuar vërtetime të kësaj natyre, madje një kopje e tillë vërtetimesh sipas tij ndodhet e protokolluar në arkivin e administratës së Bashkisë së Koplikut. “Por, asnjëherë nuk kemi lëshuar vërtetime false për persona që nuk janë banorë të Bashkisë së Koplikut. Madje, vërtetime të tilla janë lëshuar me kërkesën e të interesuarve, pasi ato kërkesa kanë qenë të shoqëruara nga një vërtetim i lëshuar më parë nga shoqatat e pajtimit apo organe të tjera të drejtësisë. Duke qenë se këto shoqata njihen nga shteti, kanë marrë leje në gjykatë dhe u dihet objekti i tyre, atëherë ne nuk jemi institucioni që ka të drejtën ta shprehim apo ta mohojmë një fenomen të tillë. Ne jemi të hapur për çdo person apo institucion që është i interesuar për këtë çështje. Çdo njeri është i lirë dhe të verifikojë arkivin e Bashkisë së Koplikut dhe aty gjen të protokolluara të gjitha kopjet e vërtetimeve në fjalë. Të tilla për problematikën që kanë banorët e Bashkisë Koplik kemi lëshuar dhe më përpara, por askush nuk na ka thënë se janë të paligjshme. Ky është një turp për ata që po merren me ne, pasi po hedhin baltë mbi figurën tonë dhe po na dëmtojmë imazhin. Nuk ka për të qenë e largët dita, kur këto hetime të rezultojnë një flluskë sapuni”, ka përfunduar Lika.
SHKODER/ RITVAN DIBRA
© Panorama.al











