Alarm nga Belgjika, azil për gjakmarrje, rrezikohen vizat

Oct 19, 2011 | 10:38
Drejtori belg i Emigracionit dhe Azilit, Freddy Roosemont

Para se të dalë në konferencë shtypi në Tiranë, drejtori belg i Emigracionit dhe Azilit, Freddy Roosemont, ka “vënë gishtin në plagë” duke paralajmëruar në Shkodër se nuk do të ketë azil në Belgjikë për shqiptarët që kanë probleme me gjakmarrjen. Fenomeni shqetësues i aplikimeve për azil në Belgjikë është bërë shkak për vizitën e zyrtarit të huaj në Shqipëri, i cili ka dhënë këtë mesazh në Shkodër, pikërisht aty nga ku nisen qytetarët më të shumtë shqiptarë që kërkojnë azil në Belgjikë. Pasi u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimit, drejtori i Azilit dhe Migracionit në Belgjikë tha se nëse ecën me këto ritme fenomeni i kërkesave për azil, regjimi i liberalizuar i vizave është i rrezikuar. Freddy Roosemont mbajti dje një takim në zyrën e prefektit të Shkodrës, ku dha alarmin për rrezikun e rikthimit të vizave për Shqipërinë. “Unë jam këtu për të dhënë një kambanë alarmi, për të deklaruar se në qoftë se nuk bie menjëherë fluksi i azilkërkuesve, atëherë ne do të analizojmë qëndrimin tonë. Numri i azilkërkuesve vazhdon të jetë me ritme alarmante. Vetëm këto dy muajt e fundit, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria arriti në 240 persona. Ndërkohë që vetëm gjatë ditës së hënë të kësaj jave kanë bërë një kërkesë të tillë në Bruksel mbi 50 shtetas”, tha Roosemont. Ai tha se nga numri i aplikimeve për azil në Belgjikë, 60 për qind janë nga qarku i Shkodrës, ndërsa 20% nga qarku i Kukësit dhe 20% të tjerët nga qarku i Tiranës. “Të gjithë këta azilkërkues kanë paraqitur dokumentacion si persona të përfshirë në fenomenin e gjakmarrjes dhe të rrezikuar në Shqipëri, por një gjë e tillë nuk na përket ne si shtet”, tha zyrtari belg. Ai vuri në dukje se ka shtetas me qëndrim në Belgjikë që i mashtrojnë qytetarët duke u thënë se nëse paguajnë para për dokumente false, vërtetime hasmërie, mund të gjejnë punë dhe banesë në Belgjikë dhe përfitojnë azil. Zyrtari belg tha se nuk duhet të ketë abuzime, pasi nuk do të jepet azil. “Shumë nga këto vërtetime janë identike të njëjta, ndryshon vetëm emri i personit. E kemi parë me hollësi këtë çështje”, tha Roosemont. “Nga statistikat zyrtare që kemi ne mund të deklaroj se individët që kërkojnë leje qëndrimi në Belgjikë kanë në dosjet e tyre shkrime, dokumente dhe histori mashtrimi nga njësitë vendore dhe shoqata pajtimi gjoja se kanë probleme gjakmarrjeje, por që në fakt të gjitha janë  të pavërteta dhe historitë e tyre janë mashtrime”, tha zyrtari belg. Ai deklaroi se kjo situatë e krijuar ka bërë që Brukseli të mos e njohë më fenomenin e gjakmarrjes, duke bërë që të mos përfitojnë edhe ato familje që realisht janë në gjak dhe të ngujuar brenda në shtëpi. “Tashmë kushdo që paraqet dokumente që është me probleme gjakmarrjeje, edhe pse realisht mund të jetë në gjak, shteti belg do t’i riatdhesojë pasi gjakmarrja është një problem që duhet zgjidhur nga shteti shqiptar, dhe jo nga shteti belg, tha Roosemont. Ai kërkoi publikisht që institucionet shtetërore, pushteti vendore, media dhe të gjitha organizmat e tjerë të ndërhyjnë dhe të sensibilizojnë opinionin publik, pasi duhet t’i jepet fund kësaj situate. “Nëse do të kemi një situatë të tillë, atëherë do të rikthehet regjimi i vizave jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vende të tjera problematike të Ballkanit, siç janë Bosnja, Maqedonia dhe Serbia”, ka vënë në dukje zyrtari belg.

240 kerkesa
për azil në Belgjikë janë bërë nga shtetasit shqiptarë vetëm gjatë periudhës shtator-tetor. Sipas të dhënave nga autoritetet, vetëm ditën e hënë janë bërë 50 kërkesa.

44 kerkesa
për azil në Bruksel janë bërë nga shtetasit shqiptarë gjatë 6 muajve të parë të regjimit të liberalizuar të vizave. Shqiptarët udhëtojnë me pasaportë nga dhjetori 2010.

Precedenti me Serbinë e Maqedoninë
Zyrtari i lartë belg ka deklaruar se Shqipëria ishte një vend për t’u marrë shembull në muajt e parë pas liberalizimit të vizave, por tani është kthyer në një problem. I njëjti fenomen ka ndodhur me Serbinë dhe Maqedoninë pas liberalizimit të vizave. Qindra qytetarë të mashtruar nga agjencitë e udhëtimit kanë prerë biletat dhe pasi kanë mbërritur në Belgjikë, kanë kërkuar azil. Të gjitha rastet janë refuzuar.

Azilkërkuesit, Burgaj: Hetime në tri qytete
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, deklaroi se kanë nisur hetimet për mekanizmin e mashtrimit me kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil në Belgjikë. Policia e Shtetit ka nisur një hetim në Shkodër, Tiranë dhe Kukës, për identifikimin dhe arrestimin e personave që dyshohet të kenë firmosur dhe lëshuar dokumentet e 240 shtetasve shqiptarë që kërkojnë azil në Belgjikë. Nisur nga kërkesat e vazhdueshme për azil politik, që tashmë konsiderohet si një problem për autoritetet belge, drejtori i Përgjithshëm i Imigracionit dhe Azilit të Belgjikës, Freddy Roosemont, zhvilloi takime në Shkodër, Kukës e Tiranë bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj. “Në mënyrë të veçantë, në muajin tetor vihet re një tendencë rritjeje të shtetasve shqiptarë që shkojnë në Belgjikë për të kërkuar azil. Policia e Shtetit, duke filluar nga këto momente, në bashkëpunim edhe me agjencinë e zbatimit të ligjit belg, do të marrë masa dhe do të hetojë me intensitet të lartë çdo zyrtar ose shoqatë joqeveritare, të cilët me dokumente fiktive abuzojnë duke tejkaluar çdo kompetencë ligjore me vërtetime, duke mashtruar qytetarët shqiptarë për të kërkuar azil në Belgjikë. Kjo përbën vepër penale dhe janë marrë të gjitha masat që të gjithë personat të vihen përpara përgjegjësisë ligjore”, deklaroi Burgaj gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që mbajti dje me drejtorin belg, Roosemont.

Ritvan Dibra/ Shkodër

© Panorama.al

Te lidhura