
SHKODER- Policia e Shtetit njoftoi sot se ka bërë kallëzim penal në ngarkim të dy kryekomunarëve të Qarkut Shkodër pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve.
Në një njoftim për shtyp, policia tha se ka referuar materialet në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Shkodër në ngarkim të shtetasve, Faz Tahir Shabaj, 62 vjeç, banues në Postribë, Shkodër, me detyrë Kryetar i Komunës Postribë, Qarku Shkodër dhe Ramadan Rexhep Likaj, 45 vjeç, banues në Koplik, me detyrë Kryetar i Bashkisë Koplik, rrethi Malësi e Madhe
Po sipas policisë, keta shtetas akuzohen se gjatë ushtrimit të detyrës së tyre kanë lëshuar vërtetime te falsifikuara për persona të ndryshëm se janë në hasmëri, me qëllim që ata të aplikonin dhe përfitonin në mënyrë të padrejtë azil në Belgjikë.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këto vërtetime janë lëshuar nga personat e sipërpërmendur pa u mbështetur në ndonjë bazë ligjore dhe në shumicën e rasteve të falsifikuara, pasi personat për të cilët ishin lëshuar këto vërtetime nuk figurojnë të jenë në hasmëri apo gjakmarrje.
Nga ana e Policisë së Shtetit janë administruar gjithashtu dhe të gjithë dokumentet e Sekretarit të Shoqatës Misionarët e Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë me qendër në Shkodër.
Ndërkaq, Policia e Shtetit vazhdon hetimet për zbulimin e të gjithë personave të implikuar dhe dokumentimin e veprimtarisë së tyre.
© Panorama.al











