Më 21 dhe 22 shtator të këtij viti, për dy ditë rresht, titullarë dhe përfaqësues të institucioneve kombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sikurse janë edhe zyrat e Ombudsmanit, nga 40 shtete, u thirrën nga Këshilli i Europës për t’u shkundur dhe rizgjuar në funksion të një bashkëpunimi të mirëkoordinuar mes tyre, në mënyrë që të rrisin aktivizimin kritik për mirëqeverisje, në përballje me qeveritë respektive. Legjitimohej ky takim në vijim të një plani veprimi, miratuar në Interlaken të Zvicrës qysh më 19 shkurt 2010. E gjitha kjo, në mbështetje të sistemit mbrojtës të të drejtave të njeriut, parashikuar nga Konventa Europiane.
E njohur si Deklarata e Interlakenit, me dy fjalë, ajo kërkon një angazhim proaktiv të zyrave të Ombudsmanit, pikësëpari për të ushtruar presion mbi qeveritë respektive, për të zbatuar vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut. Së dyti, ajo kërkon një rol gjithaq proaktiv të Ombudsmanit, për të shërbyer si pikë referimi për të gjithë ata individë apo qytetarë, të cilët, pa një, pa dy, lektisin për t’iu drejtuar Strasburgut, ende pa ezauruar rrugët që parashikon sistemi i ankimimit brenda vetë shteteve palë. Me një fjalë, qytetarët duhen sqaruar se nuk ia vlen t’i drejtohen Strasburgut kur akoma nuk u janë drejtuar gjykatave të brendshme të të tria niveleve, kur nuk janë të bindur se u është shkelur e drejta për një proces të rregullt ligjor, kur nuk janë të bindur se po mbrojnë një interes të tyre të drejtpërdrejtë brenda afateve, e kështu me radhë. E gjitha kjo, aspak për të dekurajuar qytetarët apo cenuar atyre të drejtën e apelimit, qoftë edhe deri në Strasburg, por duke ngulmuar se ata ndihmohen më mirë kur sqarohen dhe jo kur u thuhet se “gomari fluturon”, mjaft që kjo t’u vijë për shtat, paçka se u kushton kohë, para, nerva e gjithçka. Për më tepër, kur edhe rezultati i pritshëm do të jetë as më shumë, as më pak se shpallja e të tilla ankesave “të papranueshme”. E gjitha kjo, natyrisht, për të rritur cilësinë dhe efektivitetin e vetë Gjykatës së Strasburgut, duke minimizuar ngarkesën e panevojshme, e cila jo vetëm që u kushton shumë qytetarëve hallexhinj, por ndikon dukshëm negativisht edhe në vetë kredibilitetin e saj. Konsideruar këtu kontekstin institucional dhe politik ndërkombëtar, brenda të cilit funksionon kjo Gjykatë, çështja në fjalë bart në vetvete një emergjencë me efekt të shumëfishtë, e që lidhet drejtpërdrejt me autoritetin e institucioneve europiane dhe ndikimin e tyre mbi shtetet anëtare apo aspirante për t’u anëtarësuar në to.
Morali i përrallës është ky: Të nderuar shtetarë, qeveritarë ose jo, kuvendarë ose jo, gjyqtarë ose jo, të gjithë ju që ju kemi brenda apo në prag të kësaj Europe, ju që keni nënshkruar dhe ratifikuar ligje e konventa ndërkombëtare, që i keni bërë ato pjesë të legjislacionit tuaj, do t’i zbatoni ligjet apo jo? Të nderuar politikanë ose jo, ju që keni sadopak në duar fatet tuaja dhe të shoqërive tuaja, a e kuptoni se të drejtat e njeriut janë në thelb të sistemit juridik që keni hartuar dhe miratuar qysh se ndryshuat sistemin politik? Të nderuar qytetarë, komunitare ose jo, të shkolluar ose jo, të shkalluar ose jo, me axhendë dhe pa patentë, a e kuptoni se thelbi i shtetit është zbatimi i ligjit? I dashur Ombudsman dhe individ, avokat dhe klient, mjek dhe pacient, punëdhënës dhe punëmarrës, a ndjen ti përgjegjësi për veten dhe shtetin tënd kur ai dështon në arritjen e standardeve të mirëqeverisjes? A ka nevojë që Brukseli dhe Strasburgu, përveç se me deklaratat e Barrosos dhe Fyles, të referojnë si aksiomë edhe thënien e Aristotelit, madje duke e projektuar si logo nëpër takime, se “ligjet e pazbatuara, sado të mira qofshin, kurrsesi nuk prodhojnë një qeveri të mirë”? Më së fundi, a e kuptoni se keni përgjegjësinë për të kritikuar qeveritë tuaja, kur ato nuk respektojnë taksapaguesit e thjeshtë, kur korrupsioni komprometon sistemet, qëllimet apo idetë edhe më të larta të baballarëve të qytetërimit shtetndërtues, kur legjitimiteti demokratik vihet në dyshim nga mosbesimi që prodhojnë proceset elektorale, kur administratorët reflektojnë më shumë besnikëri partiake sesa burokraci funksionale? E, si për t’u vetinkurajuar, por edhe na inkurajuar së brendshmi, një kolege gjermane e mbylli: “Në fund të fundit, ne paguhemi për të kritikuar qeveritë”.
Ndaj të gjitha këtyre yshtjeve që lindin natyrshëm gjatë diskutimeve dhe komenteve të tilla, fill pasi kryetari i Senatit spanjoll përshëndeti, më erdhi radha edhe mua të flisja. Pikësëpari kundërpyeta kolegen gjermane: “Po, ne paguhemi për të kritikuar, por mos vallë paguhemi më shumë për të mos kritikuar?”. Përpara se të kujdesemi për zbatimin e vendimeve të Strasburgut, ne duhet të kujdesemi për zbatimin e vendimeve të gjykatave kombëtare. Përpara se të kërkojmë respektimin e të drejtave të qytetarit, ne duhet të respektojmë vetveten, duke mos bërë kompromise me të drejtat e njerëzve. Vendi im ka rreth dy vjet që nuk po arrin të zgjedhë Avokatin e Popullit. Nuk mund të ndihem krenar kur institucioni që përfaqësoj bëhet pjesë e një pingpongu politik, i cili vetëm se e dobëson deri në asfiksi rolin e tij si organ kushtetues, promotor të mirëqeverisjes, bilbilfryrës ndaj korrupsionit, qen roje ndaj shkeljes së të drejtave të individit. Edhe diçka të diskutueshme: ofertat dhe kundërofertat politike lidhur me Avokatin e Popullit më kanë krijuar një perceptim, sipas të cilit, s’është çudi që shumëkush të jetë duke flirtuar me idenë se mund të bëhet Avokat Populli, sigurisht “vetëm me dëshirën për t’i shërbyer popullit, popullit, popullit”, kur në fund të fundit, popullin nuk e përbëjnë dy apo tre mijë ankues në vit. Në fund të ditës, si një organ kushtetues, Avokati i Popullit, sado i rëndësishëm qoftë, është vetëm një hallkë e sistemit të trajtimit të ankesave, më saktë një mjet kontrolli i Parlamentit, për të kritikuar, turpëruar, fajësuar, por edhe korrigjuar ata zyrtarë publikë, ata qeveritarë qendrorë dhe vendorë që dështojnë të plotësojnë minimalisht dy standarde: të zbatojnë procedurat e vetë sistemit; të sigurojnë transparencën e tyre me qytetarin. Bashkimi Europian ka shtruar prej më se një viti nja 12 përparësi për Shqipërinë. Në dy prej tyre, si për asnjë institucion tjetër, flitet pikërisht për Avokatin e Popullit. Konkretisht, janë pika e tretë dhe një tjetër nga fundi. Aty flitet më shumë sesa për çdo institucion tjetër, sepse me “fuqinë e pafuqisë”, thënë ndryshe, me anë të të vetmit mjet që është Rekomandimi, por edhe forcën e opinionit publik, Avokati i Popullit mund të krijojë një gjendje kritike për tërë procesin integrues të një vendi. Një shteti mund t’i refuzohet statusi i kandidatit apo t’i pezullohet anëtarësimi, qoftë edhe për një shkak të vetëm: nga qëndrimi që mban ndaj Ombudsmanit Parlamentar, si një “institucion garantues i demokracisë”. Këtë pikë të tretë nga Karta e Kopenhagës e kemi referuar qysh se jemi krijuar në kapërcyell të shekullit, njëlloj si të kish qenë kartëvizitë, dhe kjo më shumë për qeveritarët tanë, sesa për partnerët e huaj.
Si zakonisht, në forume të tilla, të gjithë shprehin përgjegjësinë për t’iu përgjigjur me profesionalizëm kërkesave të Këshillit të Europës. Nga ana e tyre, ata të Europës nuk reshtin së siguruari për t’iu gjendur pranë këtyre institucioneve, sa herë që, eventualisht, qeveritë e radhës apo politikanët e ditës dëshmojnë shpërfillje për to, qoftë me veprime, qoftë me mosveprime. E, me që ra fjala, një gjë më rezulton nga kjo përrallë e fundshtatorit 2011. Do të doja që kjo të lexohej mirë dhe drejt. Një shtet, kurrë nuk do të vlerësohet në sytë e Europës vetëm nga ato që raporton qeveria. Një shtet, kurrë nuk do të vlerësohet në sytë e Europës vetëm nga ato që denoncon opozita. Shanset dhe privilegjin për t’u dëgjuar dhe konsideruar më shumë në sytë e Europës e ka pikërisht një institucion i pavarur kombëtar, sikurse është Avokati i Popullit. Kjo është fuqia e pafuqisë. E gjitha kjo, pa qenë nevoja për ta “mbajtur mirë” me të gjithë, por duke funksionuar si Institucion dinamik, integriteti i të cilit nuk duhet lejuar të vihet në dyshim. Sidomos, nëse respekton vetveten dhe nuk lejon të paragjykohet apo konsiderohet se i përket njërës nga palët politike.
Së fundi, edhe diçka: veza, për të çelur zog, duhet të plotësojë dy kushte: kohëzgjatja 20 ditë dhe temperatura 21 gradë. Nëse shkurtojmë ditët, veza del llukë. Nëse rrisim temperaturën, veza del e zier. Si e duam Ombudsmanin? Këndes që të japë alarmin, vezë llukë që llokoçitet në shtatë lundra, apo vezë e zier për pingpong, që nuk i hyn në punë as vetes, as dreqit! Për hir të transparencës, edhe kjo u tha atje, në Këshillin e Europës.
© Panorama.al












