
GJIROKASTER/ Arratiset i katërti. Zgjodhën rrugët malore për të çuar në Fier lëndën narkotike.
Bllokohet 160 kg kanabis, arrestohen tre trafikantët.
Dështon tentativa e katër të rinjve tepelenas për të trafikuar marijuanë drejt Fierit. Rreth 160 kg marijuanë është sasia e kapur nga uniformat blu, të cilat prangosën edhe tre transportuesit e saj, ndërsa i katërti u arratis. Destinacioni ishte Fieri, ndërkohë që udha që do të përshkohej ishte nga një aks rural, duke kaluar tri komuna në Tepelenë dhe dy në Berat. Trafikuesit, Algert Naçi 28 vjeç nga Gjirokastra, Edmir Maca 31 vjeç nga Tepelena dhe Vision Katiraj, 18 vjeç nga Memaliaj, janë arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Gjirokastrës, e cila shpalli në kërkim Dorian Shehun. Operacioni i koduar “Gllava” u zhvillua mbrëmjen e së martës. Mësohet se marijuana ishte blerë në Lazarat disa ditë më parë dhe kishte për objekt transportimin përmes një aksi rrugor, jashtë vëmendjes së policisë. Për këtë, të arrestuarit e mësipërm menduan se aksi rrugor që kalon në komunat e Luftinjës dhe Buzit në verilindje të rrethit të Tepelenës, ishte më i përshtatshmi dhe organizuan udhëtimin drejt Fierit, duke kaluar më parë në Berat. Terreni prej disa ditësh ishte studiuar nga katër të rinjtë, të cilët mendonin se kalimi në këtë aks, ndonëse i mundimshëm, ishte i përshtatshëm, pasi nuk qëndronte nën vëzhgimin e policisë. Gjithçka ka qenë e dekonspiruar në aksionin e katër të rinjve, pasi forcat policore po vëzhgonin me vëmendje lëvizjet e mjeteve ku ndodhej marijuana dhe transportuesit e saj. Rrugëtimi i mjeteve drejt Fierit përmes rrugëve rurale të Tepelenës dhe Beratit startoi në orën 19:30 të së martës dhe uniformat blu qëndronin në largësi duke i vëzhguar të gjitha lëvizjet. Automjeti i parë “Audi 4”, me targa AA 128 CG dhe një tjetër mjet shoqërues tip “Ford Eskort”, qëndronin larg njëri-tjetrit pasi i pari kontrollonte rrugën për të dytin që ishte i mbushur me marijuanë. Makina e drejtuar nga Katiraj arriti të devijonte, duke i shpëtuar policisë, ndërsa tjetra u bllokua në vend. Policia arriti të kapte tre nga personat bashkë me drogën, ndërsa tjetri, shfrytëzoi errësirën dhe terrenin e vështirë. Në deklarimet e para, të rinjtë kanë pranuar se marijuanën e kishin blerë në Lazarat dhe kishin mundur ta çonin deri në Memaliaj, përmes rrugës malore nga Gjirokastra deri në Tepelenë, duke mundur t’i shmangen postbllokut policor, të stacionuar në Ujin e Ftohtë.
Studentët kapen me 3 kg marijuanë
Dy studentë të Universitetit të Gjirokastrës kapen me 3 kg marijuanë. Flamur Tema dhe Altin Grosha, të dy 22-vjeçarë nga Kukësi, janë arrestuar për trafik të lëndëve narkotike. Dy të rinjtë janë arrestuar në bordin e një autobusi që vinte nga Greqia me destinacion Beratin. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së mërkurës, kur dy studentët gjendeshin në bordin e autobusit të linjës Volos-Berat. Autobusi u ndal për një kontroll rutinor nga punonjësit policorë në postbllokun e Ujit të Ftohtë në Tepelenë. Gjatë inspektimit në të gjitha ndenjëset e mjetit, policët identifikuan marijuanën të futur në dy çantat që administroheshin nga dy të rinjtë kuksianë. Dy të rinjtë para se të arrestoheshin, kishin qenë në Lazarat dhe prej andej, blenë sasinë narkotike kundrejt 2000 eurove, mandej sasia e marijuanës do të shitej në sasi të vogla në bar-pubet e kryeqytetit. p.n
GJIROKASTER/ PIRO NASE
© Panorama.al











