Kryeministri Sali Berisha mori pjese sot ne perurimin e 38 km te para te autostrades Vermice-Merdar, vazhdim i autostradës Durrës-Morinë, nga pika kufitare Morinë dhe përfundon në dalje të Suha Rekës, ku lidhet me rrugën magjistrale Prizren – Prishtinë, për të vazhduar deri në Merdare.
Ai u bashkua në Vermicë (rreth një kilometër nga pika kufitare e Morinës), me Presidenten e Kosovës, zonjën Atifete Jahjaga, Kryeministrin Hashim Thaçi, kongresmenin amerikan Eliot Engel dhe sëbashku prenë shiritin e inaugurimit të përfundimit të 38 kilometrave të para të kësaj autostradës prej 103 kilometra.
Me përfundimin e kësaj autostrade, Kosova do të lidhet me Shqipërinë, portet e brigjet e saj, me një infrastrukturë të standardeve më të larta bashkëkohore, që shkurton distancat dhe kohën e lëvizjes.
Fjala e Berishes gjate perurimit
Sot, me ne këtu, në Vermicë është mbarë kombi shqiptar, janë shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri, Maqedoni, Malin e zi, në diasporë e kudo që janë. Sot, ata gëzojnë së bashku me ne, inaugurimin në Kosovën e lirë e të pavarur, të kësaj rruge madhështore, të kësaj autostrade që bashkon shqiptarët më shumë se kurrë në idealin e unitetit kombëtar, në idealin e Prizrenit, në idealin e pavdekshëm të grave e burrave që sakrifikuan e derdhën lumenj gjaku në kryengritjet e tyre të mëdha për të bërë Shqipërinë e pavarur, në idealin e atyre që sakrifikuan e derdhën lumenj gjaku për të bërë Kosovën të lirë e të pavarur, në nderimin më të madh të arkitektit të Kosovës së pavarur, burrit mendjendritur të kombit shqiptar Prof. Dr. Ibrahim Rugovës.
Vëllezër e motra,
Në më pak se tre vjet, Kosova i dhuron qytetarëve të saj, kombit, por edhe rajonit Europës në tërësi një kryevepër të punëve publike. Dje, në Tiranë, një mik i imi do të më thoshte se kishte kaluar në autostradë dhe i ishte dukur sikur ishte në një dhomë pritjeje, por, në të vërtetë, ishte në dhomën e së ardhmes. Autostrada që ndërtohet është autostrada e së ardhmes së Kosovës. Ndaj unë dua të përshëndes shumë përzemërsisht Kryeministrin, qeverinë, parlamentin, forcat politike të Kosovës, të gjithë, për sakrificën e madhe që bënë. Në një kohë të vështirë angazhuan të gjitha resurset, për të ndërtuar rrugën më të rëndësishme për Kosovën, Shqipërinë, por, absolutisht, edhe korridorin më fizibël për të gjithë rajonin.
Qytetare e qytetarë të Kosovës,
Kjo është një rrugë me domethënie të madhe. Ajo shënon një agim të ri të vërtetë politik, ekonomik, social për Kosovën. Është rruga me të cilën Republika e Kosovës kontribuon për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal. Është rruga me të cilën Republika e Kosovës investon për të ardhmen e shkëlqyer europiane të qytetarëve të saj. Është rruga e zhvillimit të shpejtë të Kosovës, e fluksit të pashtershëm të energjisë së tregut të saj drejt perëndimit. Është rruga e sigurisë më të madhe të udhëtimit të qytetarëve të saj.
Nuk ka këngë që mund të thurej më bukur se ç’është rruga, nuk ka poemë që mund të shprehte madhështinë e saj. Ndaj, unë nuk do të vazhdoj më me fjalët e mia, se jam i bindur se më bukur se çdo gjë tjetër flet ajo vetë, vetëm t’u uroj edhe një herë nga zemra gëzuar këtë vepër të madhe, qytetarëve të Kosovës, shqiptarëve kudo që janë.”
© Panorama.al











