Auditi për reklamat, KLSH: Shkelje në 2 ministri

May 17, 2012 | 17:22
Pamje te spotit publicitar te transemtuar ne Euro News

TIRANE- Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve janë gjetur me shkelje, mangësi dhe parregullsi nga një auditim  i bërë nga Kotrolli i Lartë i Shtetit.

Në një njoftim të KLSH-së thuhet se në 15 ditorin e parë të muajit maj 2012 përfundoi dhe miratoi materialet e auditimit të ushtruar në Aparatin e Këshillit të Ministrave, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Integrimit, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, lidhur me përdorimin e shpenzimeve buxhetore për spotet publicitare, ngjarjet kulturore, artistike e sociale, si dhe festa e ngjarje të tjera solemne dhe protokollare me porosi të Qeverisë.

Nga shtatë institucione të audituara, në dy prej tyre u konstatuan mangësi, parregullsi dhe shkelj, me pasojë dëm ekonomik.

Sipas KLSH-së, grupi i Auditimit auditoi katër procedura aktivitetesh, përkatësisht: “Për realizimin, prodhimin, transmetimin dhe elementë të tjerë dekorativë për festën e 1 Majit 2010”; “Për minoritetet në Shqipëri”; “Ne sfidojmë (aktivitet për fëmijë)” dhe “Mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët”, dhe në të katërta është gjetur mungngesë dokumentacioni justifikues dhe vërtetues për monitorimin, dokumentimin e shërbimit të kryer dhe përmbushjen e qëllimit të financimit të tyre, duke shkelur dispozitat ligjore në fuqi.

Të gjitha këto, kanë shkaktuar një dëm ekonomik për buxhetin e ministrisë në vlerën 9,237,863 lekë,  vlerë kjo e përfituar padrejtësisht nga një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.

Ndërkaq në  ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve  janë gjetur shkelje në aktivitetin “Transmetimi i spotit në EURO NEËS” për rritjen e imazhit të Shqipërisë dhe tërheqjen e turistëve drejt saj, në pritje të sezonit turistik, ku u konstatuan mangësi dokumentare dhe shkelje të dispozitave ligjore në fuqi.

Nga auditivi i KLSH-së mësohet se MTKRS ka zgjedhur rrjetin televiziv Euro Neës për transmetimin e këtij spoti, me vlerë totale 180,000 euro.

Nga vlerësimi i materialit disponibël nga Grupi i Auditimit, ka rezultuar se: grafiku i transmetimit paraqitej me gabime në llogaritje për transmetimin në intervalin e kohës nga ora 19.00 deri në orën 22.00; si dhe në dokumentacionin e dosjes nuk kishte studim të tregut për të marrë oferta nga operatorë të ndryshëm ndërkombëtarë të specializuar për prodhimin e transmetimin e spoteve publicitare, për rrjedhojë nuk ishte bërë analizë për çmimin e prodhimit të spotit.

“Nga auditimi i përmbajtjes së procesverbalit të mbajtur dhe tabelës bashkëlidhur, ku tregohet shpeshtësia dhe oraret e transmetimit të spotit, rezultoi se, nga kontraktuesi nuk ishin përmbushur detyrimet. Konkretisht, nuk është zbatuar neni 3 (Objekti i kësaj kontrate), mbi numrin dhe shpeshtësinë e transmetimit të spotit në ditët e javës.  Vlera totale për spotet e pa transmetuar llogaritet në 36,250 euro ose 4,456,937 lekë, vlerë kjo e përvetësuar nga Kontraktuesi, e cila përbën dëm ekonomik. Kryerja e pagesës me vlerën e plotë të kontratës, pa plotësuar kushtin për numrin e spoteve publicitare të transmetuara dhe shpeshtësinë, ngarkojnë me përgjegjësi komisionin e monitorimit të përbërë nga 3 punonjës.- thuhet në raportin e KLSH-së.

Ndërkaq KLSH- njofton se për 2 anëtarët e komisionit monitorues, dhe kryetarin është depozituar një kallëzim penal në organin e Prokurorisë të rrethit Tiranë. Kjo, pasi në vlerësimin e veprimtarisë së Kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit të sipërcituar, janë evidentuar  elementë të veprës penale.

© Panorama.al

Te lidhura