Papadhimos merr votëbesimin e Parlamentit

Nov 16, 2011 | 18:25

ATHINË- Qeveria e re në Greqi me kryeministër Luka Papadhimos u votëbesua nga Parlamenti me 255 vota pro dhe 38 kundër.

Pro qeverisë së re votuan grupet parlamentare të PASOK, ND dhe LAOS. Kundër, grupet e PKK dhe SYRIZA, të cilëve iu bashkuan edhe 2 deputetë të PASOK dhe 1 nga partia Demokracia e RE.

Qeveria e Papadhimos është zotuar për zbatimin e reformave strikte të kërkuara nga kreditorët ndërkombëtarë në këmbim të fondit që Greqisë i duhet për të shpëtuar nga falimentimi.

Qeveria e drejtuar nga kryeministri i ri, Lukas Papadhimos, një ish zëvendëspresident i Bankës Qendrore Evropiane, përfshin anëtarë të partisë socialiste, konservative dhe të djathtë.

Kabineti i ri do të ketë për detyrë të shtyjë përpara rritjen e taksave dhe shkurtimin e shpenzimeve.

Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë kërkuar një seri reformash përpara se t’i japin Athinës një kredi prej 8 miliardë eurosh.

Në një deklaratë të martën, presidenti amerikan Barak Obama i vlerësoi si “të forta dhe të thella” lidhjet mes grekëve dhe amerikanëve, dhe u zotua se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me Greqinë në “këto kohë të vështira”.

© Panorama.al

Te lidhura