Atentati mafioz në Rinas, targat e “Toyota” të vjedhura në Greqi vitin e kaluar! Zbardhet itinerari i autorëve, 3 qitësit qëlluan me 4 armë

Nov 12, 2025 | 10:22

Detaje të reja dalin nga atentati i mesditës së të martës (11 Nëntor) në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku u ekzekutua me breshëri plumbash Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur rëndë, 40-vjeçari Muçi Shaljani alias Sheqeri.

Gilmando Dani makina

Mësohet se targat e mjetit tip “Toyota”, që u gjet e shkrumbuar nga flakët në fshatin Halil dhe brenda të cilit ndodheshin 4 armë, rezultojnë të vjedhura në Greqi vitin e kaluar.

Ndërsa makina ende nuk është përcaktuar nëse është grabitur apo jo, per shkak se ende nuk është rikuperuar numri i shasisë për shkak të djegies së makinës.

Autorët të cilët kanë qenë 4, tre prej tyre qitës dhe 1 shofer, sipas burimeve, kanë ardhur nga Nikla në drejtim të Rinasit, zonë dhe nga janë larguar më pas.

Autorët kanë përdorur të 4-rt armët për të kryer atentatin mafioz që tronditi vendin. Sipas burimeve, një prej qitësve ka përdorur dy armë.

Ai ka qëlluar me kallashnikov nga brenda Toyota në drejtim të makinës ku udhëtonin viktima dhe i plagosuri, e më pas ka përdoruur pistoletën për të qëlluar në drejtim të Benz, pasi zbriti nga mjeti.

Muçi Shaljani alias Sheqeri në intubim

I plagosuri Muçi Shaljani alias Sheqeri raportohet se ndodhet në repartin e reanimacionit, në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë për jetën.

40-vjeçari raportohet se është qëlluar me 10 plumba në trup, 2 prej të cilëve në kokë.

Ndërkohë olicia ka këqyrur kamerat e bizneseve dhe të aeroportit për të parë lëvizje të dyshimta për persona të tjerë që mund të kenë patur si rol për të informuar autorët që ndodheshin brenda automjetit tip Toyota.

Makina me autorët ishin të ndaluar te rrethrrotullimi dhe po prisnin viktimën dhe shokun e tij që mbeti i plagosur rëndë.

Po verifikohet për të gjitha mjetet e tjera apo njerëzit që kalojnë disa herë tek porta dalëse e aeroportit, ku të skeduar janë pikërisht ata njerëz që kanë qëndruar më gjatë dhe janë larguar sapo kanë dalë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani Sheqeri.

Si ndodhi ngjarja

Ka qenë ora 14:30 e të martës (11 nëntor) kur persona ende të paidentifikuar sulmuan me breshëri kallashnikovi makinën ku ndodhej Gilmando Dani dhe miku i tij Muçi Shaljani Sheqeri. Ngjarja ndodhi në rrethrrotullimin e Rinasit, kur dy personat sapo kishin ardhur nga Spanja.

Autorët kanë qenë të maskuar me veshje me ngjyrat e rrobave të policisë, me maska dhe kapele, ndërkohë që pasi makina e dy personave të sulmuar nuk ka vijuar të ecë, personi që ka qenë në tokë, ka lënë kallashnikovin dhe me pistoletë, ka hapur derën e pasagjerit që kishte ndërruar jetë dhe ka qëlluar sërish mbi të.

Atentatorët kanë ikur në drejtim të Fushë-Krujës, si gjithnjë kur ndodhin krime në atë zonë dhe kalimtarë të rastit janë afruar për të hapur derën e shoferit të mjetit, pasi është parë që kishte shenja jete. Dera nuk hapej. Policia shkoi aty, por pas qytetarëve, me duar në xhepa.

Një person, civil, thyen xhamin e mjetit, hap derën dhe nxjerr me pak shenja jete jashtë shoferin, që rezultoi të ishte një agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ndërsa i pajetë në sediljen e parë të mjetit ishte Gilmando Dani, 47 vjeç, një emër shumë i njohur në vendin tonë, më shumë se sa për bëmat e tij, për miqësinë dhe kudondodhjen me Emiljano Shullazin, një prej emrave proverbial të krimit në vendin tonë.

Po ndërsa Shullazi vijon të jetë në qeli, i dënuar dhe me dy masa arresti të tjera shtesë, Gilmando Dani kishte fituar lirinë rreth një vit më parë, ndërsa kishte tentuar të niste edhe jetë të re. Por më 7 nëntor ai është nisur në drejtim të Barcelonës bashkë me mikun e tij të policisë dhe u kthye dje, për të mos dalë i gjallë nga aeroporti.

© Panorama.al

Te lidhura