TIRANE – Kamerat e sigurisë të një banke dhe një salle lojërash fati “lënë në baltë” grupin e hetimit të atentatit me armë ndaj biznesmenit Dritan Avllaj. Disa ditë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 24 marsit 2011, ku biznesmeni i njohur u qëllua me armë në makinën e tij, hetuesit e policisë dhe të prokurorisë urdhëruan sekuestrimin pamjeve të regjistruara nga kamerat e sigurisë që janë instaluar në një bankë dhe një sallë lojërash fati te Rruga e Elbasanit. Sekuestrimi i pamjeve filmike u bë në bazë të thënieve të disa dëshmitarëve që tregonin se personat me motor që qëlluan me armë ndaj biznesmenit në makinën e tij kishin ardhur nga rruga kryesore pranë Tregut Elektrik në Tiranë. Nisur nga këto pohime të dëshmitarëve, hetuesit kontrolluan zonën dhe gjetën se në itinerarin që kishin përshkruar autorët, gjithnjë sipas pretendimit të dëshmitarëve, ndodhej një bankë dhe një sallë lojërash fati që ishin të pajisura me kamera vëzhguese. Menjëherë oficerët e sektorit të hetimit të vrasjeve sekuestruan pamjet filmike. Ditën e djeshme, grupi hetimor përfundoi verifikimin e të gjitha regjistrimeve duke arritur në përfundimin se kamerat e sigurisë nuk kanë arritur të fiksojnë ndonjë episod të ngjarjes objekt hetimi. Sipas hetuesve, dy janë variantet: autorët e ngjarjes kanë lëvizur herët në zonë, duke u pozicionuar në pritje të lëvizjes së biznesmenit, ose dëshmitarët kanë gabuar në përshkrimet e dhëna mbi lëvizjet e motorit në të cilin ndodheshin autorët e krimit.
Dritan Avllaj, biznesmen i njohur në Tiranë kryesisht në fushën e ndërtimit, u qëllua me armë mbrëmjen e 24 marsit 2011, rreth orës 22:15. Dy persona me motor iu afruan makinës së biznesmenit, “Mercedes Benz” dhe qëlluan gjashtë herë, ndërkohë që biznesmeni pësoi vetëm një plumb në shpatull, pa rrezik për jetën.
Hetimi
Dosja penale e hapur pas atentatit ndaj biznesmenit Dritan Avllaj është ende pa autor. Dëshmitë dhe provat e mbledhura nga policia në vendin e ngjarjes ende nuk kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të ngjarjes. Prokuroria e Tiranës pohon se është duke shqyrtuar materialet hetimore dhe perspektiva e kësaj dosjeje është delegimi në polici për plotësim me prova rreth autorëve të ngjarjes.











