Atentat me telekomandë në Shkodër, vritet kambisti

Oct 14, 2011 | 11:57
Makina e shkatërruar nga shpërthimi i djeshëm

Një shpërthim me telekomandë mën-gjesin e djeshëm, që ndodhi në mes të qytetit të Shkodrës, mori jetën e personit që ishte vënë në shënjestër. Viktima Mark Gjoni, kambist, gjeti vdekjen ndërsa makina e tij u shkatërrua nga forca e shpërthimit në vendin e quajtur “Tregu i Valutës”, në afërsi të kishës ortodokse. Policia e Shkodrës bëri të ditur se ngjarja, që shkaktoi panik në të gjithë zonën, ndodhi rreth orës 06:30. Fatmirësisht, në atë moment nuk është ndodhur asnjë kalimtar afër vendngjarjes. Viktima, ish-oficer ushtrie, pak minuta më parë kishte dalë nga banesa për të vijuar punën e përditshme me të cilën siguronte të ardhurat e familjes së tij. Pasi ka pikasur një vend bosh diku nga fillimi i rrugës “Hasan Riza Pasha”, ai ka filluar të manovrojë në mes dy automjeteve për ta parkuar makinën e tij, tip “Benz 240”, me targë SH 1465 E. Por, sapo ka përfunduar manovrën e fundit të parkimit dhe ka fikur mjetin në tentativë për të dalë prej saj, makina ka shpërthyer, duke e zhvendosur trupin e tij disa metra në anën tjetër të rrugës. Nga shpërthimi benzi është përfshirë në flakë. Edhe tendat e një dyqani që ndodhej afër morën flakë, e më pas ato u përhapën deri në katin e tretë të pallatit ku ndodhi ngjarja. Rojet e disa subjekteve aty afër, por edhe kalimtarët e paktë që kanë parë nga larg skenën, janë afruar t’i japin ndihmën e parë viktimës, i cili ishte i mbuluar me gjak dhe me dëmtime mjaft të rënda, por kishte ende shenja jete. Në kohë rekord mbërriti policia, por edhe një autoambulancë, e cila dërgoi menjëherë viktimën në spitalin e Shkodrës, si dhe një mjet zjarrfikës që bëri të mundur

Viktima Mark Gjoni

shuarjen e flakëve. Por, me gjithë ndihmën e dhënë, disa orë më pas, 60-vjeçari ndërroi jetë. Ekspertë të Policisë Kriminale kanë nisur menjëherë hetimet. Paraprakisht, ata bënë të ditur se dyshohet se shpërthimi kishte ndodhur nga një sasi eksplozivi që mund të ketë qenë i telekomanduar. Dyshohet se autorët e kishin studiuar prej kohësh itinerarin e Gjonit. Për të realizuar qëllimin e tyre ata kanë zgjedhur një orar të tillë ku në atë zonë nuk kishte trafik dhe lëvizje të qytetarëve në rrugë. Ngjarja ka vënë në lëvizje jo vetëm policinë e Shkodrës, por në vend mbërriti dje edhe një grup ekspertësh nga Tirana të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Policia shoqëroi rreth 20 persona, mes të cilëve, kambistë, rojet e subjekteve rreth vendit e ngjarjes, familjarë si dhe të tjerë të dyshuar se mund të kenë dijeni, të cilët u morën në pyetje. Mësohet se familjarët e viktimës kanë mohuar të kenë pasur dijeni për konflikte apo kërcënime të mundshme të të ndjerit. Edhe kambistët kanë mohuar të kenë parë ndonjë skenë konflikti gjatë këtyre kohëve në vendin e tij të punës. Policia e Shkodrës bëri të ditur dje se është duke hetuar për ngjarjen e rëndë, por ende nuk ka një pistë konkrete hetimi. Paraprakisht dyshohet për ndonjë konflikt të viktimës me personat e implikuar në atentatin e djeshëm. Ndonëse nuk janë gjetur elementë për ta zyrtarizuar si pistë hetimi, Policia bëri të ditur se nuk përjashtojnë as një lidhje të mundshme të atentatit me detyrën e vëllait të Gjonit, i cili është punonjës policie me detyrën e shefit të armatimit në Drejtorinë e Policisë së qarkut Shkodër. Gjithsesi, burimet policore bënë të ditur se nga informacionet që disponojnë, por edhe hetimet e kryera paraprakisht, nuk rezulton asnjë problematikë që të ketë lidhje me shefin e armatimit në këtë drejtori. Mësohet se viktima para viteve ’90 kishte punuar si oficer ushtrie, por pas daljes në reformë, ai kishte vijuar të punonte si kambist. Ai dilte çdo ditë në vendin e quajtur “Tregu i Valutës” për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për familjen e tij. Ngjarja ka lënë të shokuar edhe kolegët e viktimës. Ata pohuan se Gjoni nuk kishte pasur asnjë konflikt, madje njihej si person mjaft i qetë prej tyre. Një fakt të tillë e kanë dëshmuar edhe për grupin e hetimit në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës.

Familjarët: Nuk kishte konflikte, lëvizte lirshëm
Të afërmit e viktimës janë marrë në pyetje dje nga grupi hetimor, por veçse trishtimit për vdekjen e të dashurit të tyre, ata kanë ngritur supet për një motiv të mundshëm, në dijeni të tyre. “Nuk ka pasur asnjë konflikt me persona të tjerë. Ndryshe nuk ka se si të shpjegohet fakti se ai ka dalë nga shtëpia për në punë herët si çdo ditë. Po të kishte pasur konflikte me të tjerë, ai nuk do të dilte serbes nga shtëpia dhe në atë orë kur edhe lëvizja është tejet e kufizuar”. Kështu mësohet se janë shprehur të afërmit e viktimës, të cilët janë shokuar nga kjo ngjarje e rëndë. Ata kanë mohuar edhe një lidhje të mundshme me punën e të vëllait të viktimës, si shef armatimi në Policinë e Shkodrës. Familja Gjoni mësohet se është me origjinë nga zona e Dukagjinit. Ata kishim mbi 20 vite që ishin shpërngulur në qytetin e Shkodrës.

Ekspertët: Sasia e eksplozivit e madhe
Nga hetimet e ekspertëve të specializuar për shpërthime të tilla, rezulton se sasia e eksplozivit ka qenë tepër e madhe. Kjo faktohet nga fuqia e shpërthimit dhe dëmtimet që ka pësuar automjeti tip “Benz 240”, i cili është ndër autovetuarat më të rënda dhe duhet një forcë e madhe shpërthyese për të shkaktuar ato pasoja që i janë bërë makinës së viktimës. Burime nga Policia bënë të ditur se janë duke hetuar rreth lëndës së përdorur nga autorët, ndërsa do të kryhen edhe verifikimet e duhura me kompanitë celulare.

Precedenti i shpërthimit i gjyqtarit Konomi
Skenari i ngjarjes që tronditi dje qytetin e Shkodrës është i njëjtë me atentatin e ndodhur më 9 shtator të këtij viti, ku u hodh në erë makina gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi. Një shpërthim i telekomanduar i mori jetën 33-vjeçarit, baba i dy fëmijëve, ndërsa udhëtonte me makinë përgjatë bulevardit Vlorë-Skelë, pranë shkollës industriale. Makina shpërtheu në ecje  rreth orës 09:20. Lënda eksplozive ishte vendosur poshtë sediljes së makinës, një “Benz 250”, me targë VL 6383 B, që përdorej nga bashkëshortja e tij.

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura