Parlamenti francez (Asambleja Kombëtare) votoi sot me 255 vota pro dhe 146 kundër për pezullimin e reformës së sistemit të pensioneve deri në vitin 2027, pra deri pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
Ky vendim u konsiderua kyç për të siguruar miratimin e buxhetit shtetëror për vitin 2026 dhe për të garantuar stabilitetin e qeverisë së kryeministrit Sébastien Lecornu, pasi Partia Socialiste kishte vendosur si kusht pezullimin e reformës për të mos rrëzuar qeverinë, siç kishte ndodhur më parë me kabinetet Bayrou dhe Barnier.
Në votim, pro pezullimit u shprehën deputetët e Rassemblement National të Marine Le Pen, të Partisë Socialiste dhe të Partisë së Ekologjistëve, ndërsa kundër votuan deputetët e La France Insoumise të Jean-Luc Mélenchon dhe të Partisë Komuniste.
Ky zhvillim shihet si një fitore e përkohshme për qeverinë, e cila arriti të shmangë një tjetër krizë politike, duke fituar mbështetjen e socialistëve në një moment vendimtar për stabilitetin e saj.
© Panorama.al












