
Duke shfrytëzuar kryesimin e radhës nga ana e Shqipërisë të Kartës “Adriatik 5”, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i bëri sërish thirrje për kompromis klasës politike. Sipas tij, debati është jetik për vendin, por në të njëjtin nivel është edhe bashkëpunimi mes palëve. “Në fund dua të them se integrimi euroatlantik është një qëllim kombëtar që kërkon përgjigje dhe sakrifica nga popujt. Dhe, si i tillë, vjen mbi Parlamentet. Dhe këtu në Shqipëri, në Parlamentin shqiptar, dhe këtu kam ndër mend kryetaren e Kuvendit, zonjën Topalli, si dhe kryetarin e komisionit të sigurisë, zotin Demi, që të krijojnë një kompromis dhe vizione për të siguruar që vendet të qëndrojnë në kurs. Debati i shëndetshëm është jetik, po ashtu është dhe bashkëpunimi e kompromisi”, u shpreh ambasadori. Në fillim të fjalës së tij, përfaqësuesi më i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë vlerësoi Kartën e Adriatikut, duke thënë se vendi i tij është i përkushtuar të bashkëpunojë me Ballkanin në rrugën e tij të integrimit. “Shtetet e Bashkuara ndihen krenare që janë pjesë e Kartës së Adriatikut, siç e dini ato janë që nga zanafilla e saj. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të bashkëpunojnë me vendet e Ballkanit Perëndimor përmes Kartës së Adriatikut, sepse ne besojmë se rruga e integrimit euroatlantik është shtegu për një rajon të sigurt dhe të begatë. Ne besojmë në vendet që ju përfaqësoni dhe, çfarë është më e rëndësishme, është se ne besojmë tek popujt që ju përfaqësoni”, theksoi Arvizu. Ai tha gjithashtu se SHBA pret edhe anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, ndërkohë që nxiti qeveritë e Bosnjë- Hercegovinës dhe të Maqedonisë që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për anëtarësimin në Aleancë. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuar ndaj politikës së dyerve të hapura “dhe në këtë frymë inkurajojmë Serbinë dhe Kosovën në përpjekjet për integrimin euroatlantik, duke përfituar nga mundësia dhe pjesëmarrja në takimet e konferencat e A5”. “Dua të vlerësoj rolin që vendet e Kartës së Adriatikut po luajnë në arenën botërore si sigurues të paqes dhe sigurisë. Jo shumë kohë më parë, vendet e rajonit ishin konsumatore të sigurisë, kurse tani çdo vend dërgon trupat e tyre ushtarake në disa vende mjaft të rrezikshme për të garantuar sigurinë, sidomos në Afganistan, pjesëmarrja juaj tregon se vendet tuaja janë bërë ofrues të besueshëm të sigurisë. Dëshiroj të theksoj nismën kroate të Kartës së Adriatikut, nisma e përbashkët e A5 po instrukton policinë e ardhme ushtarake afgane dhe kjo është një arritje e përgëzueshme”, u shpreh më tej ambasadori. Në këtë konferencë të organizuar nga Parlamenti shqiptar, ra në sy mungesa e përfaqësuesve nga Serbia. Punimet e kartës “Adriatik 5” do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme, ku do të hartohet edhe një deklaratë e përbashkët.
Topalli: Miratuam 400 ligje, 4 që duan 3/5 s’i votuam dot
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, akuzoi opozitën se duke mos dhënë votën e saj për miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, pengoi vendin në marrjen e statusit të vendit kandidat. Në fjalën e mbajtur në Konferencën e Kartës së Adriatikut, kryeparlamentarja u shpreh se gjatë kësaj periudhe janë kaluar rreth 400 ligje, dhe vetëm pak prej tyre, që kërkojnë 3/5 e votave, nuk janë miratuar. “Në Parlament kemi miratuar 400 ligje, që vareshin nga maxhoranca, por nuk kemi kaluar 4 ligje që kërkonin 3/5 e votave, që vareshin nga opozita. Këto të fundit lanë Shqipërinë pa status. Por ne shikojmë përpara. Reformat nuk do të ndalen, përkundrazi, do të përshpejtohen në vitet e ardhshme. Shqipëria mbetet e angazhuar për t’i qëndruar detyrimeve të saj dhe për të kontribuar për avancimin e kapaciteteve ushtarake të Aleancës, si dhe për të kontribuar në misionet e saj”, u shpreh Topalli. Sipas saj “Kuvendi i Shqipërisë, edhe gjatë kësaj legjislature ka pasur një axhendë me dy shtylla kryesore: integrimi dhe ekonomia. Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë votuar 400 ligje, që bënë të mundur që Shqipëria t’i rezistojë krizës financiare botërore të 3 viteve më parë. Këto reforma bënë që Shqipëria t’i qëndrojë edhe krizës botërore të borxheve sovrane. Shqipëria vazhdon me rritje të eksporteve dhe investimeve, ndonëse e rrethuar nga një krizë globale ekon-omike serioze. Ky është një tjetër dimension i sigurisë së Shqipërisë në NATO”. Kryeparlamentarja u shpreh gjithashtu se Shqipëria është faktor stabiliteti në rajon dhe anëtarësimi në NATO ka kontribuar në rritjen e numrit të investitorëve të huaj në vend. “Shqipëria është vendi që ka ndryshuar më shumë se çdo vend tjetër në këta 20 vjet dhe kjo vetëm për shkak të reformave dhe modelit ekonomik të adaptuar”, u shpreh më tej Topalli.
ARISTIR LUMEZI











