Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, e cilësoi situatën politike në vend në udhëkryq, duke kërkuar dalje prej saj. Këtë deklaratë Arvizu e bëri në fjalën e tij në konferencën e organizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, me temë “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane; ndërtimi i së ardhmes”, që u mbajt me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA. “Tani, 20 vjet më pas, e gjemë veten në një tjetër udhëkryq. Kemi parë se rrugët e vjetra të bllokimit dhe faj-hedhjes nuk funksionojnë. Sot Shqipëria ka ende nevojë për reforma dhe është e qartë për të gjithë se ekziston një shteg i hapur që do të sjellë mundësi për popullin shqiptar. Populli shqiptar ka folur vendosshmërisht se si e përfytyron të ardhmen e vendit të tyre. E ardhmja e Shqipërisë është në duart e Shqipërisë. I përket Shqipërisë ta përcaktojë të ardhmen. Udhëheqësit e Shqipërisë duhet të bëjnë zgjedhjen e drejtë që bashkarisht të shpien përpara integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Tani, ashtu sikurse vepruam 20 vite më parë, ne ju zgjasim dorën tonë dhe ju ofrojmë ndihmën dhe inkurajimin tonë për të bërë zgjedhjen për përparim të pandërprerë. Njëzet vite më pas, mënyra më e mirë për ta nderuar miqësinë tonë është të vazhdojmë përpara në rrugën që nisëm në 1991”, theksoi ambasadori. Deklarata e ambasadorit amerikan vjen një muaj pas nisjes së punës së Parlamentit shqiptar, nga i cili pritej shumë në lidhje me plotësimin e 12 prioriteteve nga klasa politike shqiptare për të merituar ftesën e vendit kandidat për në BE. Dy ditë më parë, në një përpjekje për të kuptuar kërkesat e opozitës, të cilat janë kthyer në bllokuese për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, tre ambasadorët kryesorë në Tiranë, Arvizu, Volfarth dhe Sekui, zhvilluan një takim në selinë rozë me kryesocialistin, ku u informuan në detaje me 10 pikat e paktit për integrimin, të propozuar nga kreu socialist, Rama.
Konferenca
Të mbledhur në konferencën e organizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, me temë “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane; ndërtimi i së ardhmes”, referuesit vlerësuan marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në 20-vjetorin e rihapjes së Ambasadës Amerikane në Tiranë. Drejtori i Institutit, Albert Rakipi, tha se në themel të këtyre marrëdhënieve të suksesshme qëndrojnë interesat e përbashkëta që kanë të dyja vendet. “Forcimi i partneritetit Shqipëri-SHBA do të garantohet nga forcimi i demokracisë në Shqipëri”, u shpreh Rakipi, i cili shtoi se “integrimi i vendit në Bashkimin Europian nuk duhet t’i zbehë marrëdhëniet me SHBA”. Edhe studiuesi Pirro Misha u shpreh se “ndikimi i madh i prezencës amerikane në Shqipëri në momentet më kritike për vendin, kanë qenë parimore, dhe jo mbi bazën e interesave”. Ai theksoi rritjen e demokracisë në vend për të garantuar marrëdhënie sa më pozitive. “Nuk mund të kemi një partneritet të mirë nëse nuk do të kemi një lidership politik demokratik, i cili nuk prodhon ngërçe dhe kriza politike”, u shpreh Misha. Në mbyllje të konferencës, ambasadori Arvizu tha se mënyra më e mirë se si mund ta nderojmë miqësinë tonë është të vazhdojmë përpara gjatë rrugës që shtruam në 1991-shin. “Vitin tjetër kemi një festë edhe më të madhe, që është 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Të punojmë së bashku për 100 vitet e ardhshme dhe të fillojmë të mendojmë për një integrim rajonal bashkë me Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit”, u shpreh ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu.
Arvizu për withers
“Nuk mund të komentoj asgjë nga letra e djeshme e ish-ambasadorit Withers, pasi ajo i sqaron vetë problematikat”. Ky ishte komenti shumë i shkurtër i ambasadorit të SHBA, Aleksandër Arvizu, pas letrës së paraardhësit të tij. Ish-ambasadori amerikan, Withers, në një letër të hapur një vit pas largimit nga Shqipëria, ka sqaruar pozicionin e tij në lidhje me publikimet e kabllogrameve të WikiLeaks-it. Në reagimin e Withers-it nënvizohej vërtetësia e informacionit të shpërndarë nga WikiLeaks.
Topi: Politikanët, distancë mes së folurës dhe praktikës
Presidenti Bamir Topi i kërkon klasës politike të tregojë përgjegjshmëri dhe të vendosë axhendën qytetare mbi çdo axhendë tjetër. Sipas tij, politikanët nuk duhet të jenë të dyzuar në qëndrimet dhe veprimet e tyre. “Politikanët tanë shfaqen në publik ithtarë të vlerave perëndimore; në praktikë, disa prej veprimeve dhe vendimeve të tyre nuk gjejnë përputhje me këto standarde demokracie. Sjellja e dyzuar, – me distancë të madhe midis të folurës dhe praktikës, – duhej të ishte tipar i kapërcyer tashmë i tranzicionit. Shpeshherë dëgjojmë të thuhet se qytetarët janë disa hapa përpara politikës për nga vizioni i tyre për vendin dhe sakrificat që ata bëjnë për të rifituar kohën e humbur”. Sipas tij, politika duhet të udhëhiqet nga axhenda europiane, dhe jo partiake. Gjej rastin të apeloj sot të gjithë aktorët politikë në vend, ata që janë mandatuar ose kanë zgjedhur të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve, që në sjelljen e tyre politike dhe institucionale të dëshmojnë kurajë e përgjegjësi për të vendosur axhendën qytetare mbi çdo axhendë politike të ditës, dhe kështu, për të jetësuar në praktikë vlerat dhe parimet e demokracisë tek të cilat besojmë. Duke vepruar kështu, politika vihet në funksion të qytetarëve dhe u shërben siç duhet interesave të vendit”, theksoi Presidenti i Republikës.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











