Arvizu: Hap shtëpinë time për një takim Berisha-Rama

Oct 3, 2011 | 13:02

Pas ftesës së kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për një debat publik me Kryeministrin Sali Berisha, reagon ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Duke folur në një prononcim për mediat pas ceremonisë së 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, ai e cilësoi si diçka me vlerë propozimin e liderit të opozitës. Madje, Arvizu sugjeron që Berisha dhe Rama të kenë edhe një takim privat mes tyre, për të cilin shprehet i bindur se mund ta bëjnë. “Kam dëgjuar pak për këtë propozim, por nuk kam pasur mundësi ta studioj me hollësi. Unë qartazi mendoj se ky debat apo diskutim nuk është ide e keqe. Kam dashur dhe shpresuar që të kishte më shumë mundësi për debat, që gjatë zgjedhjeve vendore që kaluan. Megjithatë, shikoj diçka të mirë, një vlerë në këtë propozim. Por, përveç një debati publik, mendoj se do të ishte më mirë që të dy liderët të kishin një takim privat mes tyre dhe jam i sigurt që ata janë të aftë ta bëjnë këtë, nëse do të donin vërtet ta bënin”, u shpreh diplomati amerikan. Në të njëjtën kohë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri u tregua i gatshëm të ndihmojë për realizimin e këtij debati publik, duke hapur edhe derën e shtëpisë së tij, në rastin konkret zyrat e Ambasadës Amerikane. “Nëse do të ndihmonte, unë jam i gatshëm të hap derën e shtëpisë sime për të realizuar këtë takim mes dy liderëve, jam i sigurt që edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, do të kishte dashur të ishte në këtë takim. Gjithsesi, vendimi u mbetet drejtuesve. Çfarëdo gjëje që ne mund të bëjmë për të lehtësuar tensionin politik, jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që nevojitet për të realizuar këtë takim. Edhe nga këto festime duket qartë që ne jemi në anën e popullit shqiptar”, theksoi më tej Arvizu. Pak ditë më parë, ambasadori amerikan mbështeti një tjetër propozim të Edi Ramës, paktin për integrimin që përmban 10 pika. Sipas tij, tani janë partitë ato që duhet të ulen dhe të negociojnë. “Mendoj se duhet seriozitet për ecjen përpara në kryerjen e reformave. Unë mendoj se është inkurajues fakti i bërjes publike nga PS-ja i 10 ideve. Nuk është për mua të komentoj në mënyrë specifike, por mendoj se është inkurajuese, pasi janë disa propozime që mund të krijojnë bazat për debat dhe dialog. Tani mbetet për dy partitë të vendosin, por shpresoj se do të shërbejnë si bazë për të biseduar e ecur përpara”, tha ambasadori. Arvizu u shpreh se opozita ka përgjegjësinë e saj për faktin se deri tani nuk ka pasur dialog, por shtoi se shumica duhet të krijojë kushtet për të thirrur në debat edhe njerëz të tjerë, që nuk janë mbështetës të Partisë Demokratike.

Volfarth: Mirëpres çdo ofertë që sjell mirëkuptim mes palëve
Në krah të një debati publik mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama, i propozuar nga ky i fundit, ka dalë edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth. I pranishëm në ceremoninë e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Volfarth nuk i ka shpëtuar interesimit të mediave lidhur me ftesën e liderit të opozitës. “Ftesa e Ramës është një ide shumë e mirë. Mbështes dhe mirëpres çdo ofertë që sjell dialog dhe mirëkuptim mes palëve. Është shumë e rëndësishme që të ketë dialog. Duhet të rinisë dialogu mes partive politike, dialog që duhet të zhvillohet në Parlament dhe që duhet të përqendrohet te reforma zgjedhore”, u shpreh ambasadori Volfarth, në një prononcim për mediat të dielën. Disa herë me radhë, diplomati i Prezencës së OSBE-së u ka bërë thirrje Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, që të nisin dialogun mes tyre për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Pak ditë më parë, ambasadori ka ngrënë një drekë me dy negociatorët e forcave politike, Oerd Bylykbashin, shef i kabinetit i Kryeministrit Berisha dhe Damian Gjiknuri, deputet i PS-së.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura