Artistët shqiptarë, një leksion mbi fjalën e lirë

Oct 10, 2011 | 11:51
- Publiku amerikan duke parë instalacionin e Fatos Lubonjës me fletët e librit, shkruar në Burgun e Burrelit

“Ajo fjala e shkruar ashtu, aq e vogël, ajo fjala që nuk zhduket sado që ta shtypësh, që përmban brenda edhe idenë se e vërteta e atij realiteti vetëm ashtu mund të shkruhej, me germa gati të padukshme, për t’u fshehur…”. Kështu do të shprehej disa muaj më parë Fatos Lubonja, në lidhje me mënyrën se si e shkroi librin “Ploja e mbrame” në fletë cigaresh në burgun e Burrelit. Ishte viti 1988. Sot, pas 23 vjetësh, ato faqe të pazakonta libri nuk janë thjesht dhe vetëm një dëshmi e kohës, ajo vjen edhe si një vepër arti. E nëse shqiptarët deri diku mund të lidhin tekstin me kontekstin, për publikun amerikan është tërësisht e paimagjinueshme. Një kalli misri me dhëmbë, ca copëra gazetash të vjetra, një bllok adresash super i përdorur, një bibliotekë librash e kuruar me kujdes, ca simbole të fshehta, një dyshek që ndoshta ka dëgjuar të pathënat… Të gjitha së bashku japin një ide mbi historinë 50-vjeçare të fjalës në Shqipëri. Prej një muaji në galerinë “Collins C. Diboll”, në Universitetin Loyola, New Orleans është hapur ekspozita “Fjala”. Një ekspozitë, e cila më shumë se një “grumbullim” punësh, është një rrëfim, i cili në pamje të parë lidhet me të shkuarën, por është e pakohshme përderisa lidhet me fjalën, e cila gjatë historisë së vet, ka provuar mohimin, luftën, lirinë… Si një simotër e ekspozitës së hapur në galerinë FAP në Tiranë, në dhjetorin e shkuar, ku merrnin pjesë artistët Ardian Isufi, Fatos

- Punë e Ardian Isufit

Lubonja, Gazmend Leka, Genc Përmeti, Najada Hamza e Vladimir Myrtezai-Grosha, “Fjala” “amerikane” është plotësuar edhe me mendimin e më të rinjve. Krahas punëve të artistëve primarë, në këtë ekspozitë marrin pjesë edhe studentë nga atelietë e Tekstilit & Modës, Multimedias dhe Grafikës, me punime

Posteri i ekspozitës në New Orleans

në teknika të ndryshme. Ekspozita u realizua në kuadër të programit të shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet shkollave, ku Fakulteti i Arteve të Bukura prezantohet për herë të dytë, nën koordinimin e prof. Najada Hamza dhe Lea Cristina. Gjatë qëndrimit të artistëve shqiptarë në New Orleans u realizuan edhe leksione mbi fenomene e problematika të artit bashkëkohor shqiptar, si dhe mbi politikat arsimore e artistike për studentët e Akademisë së Arteve në Tiranë.
Format e fjalës

Punë e Genc Përmetit

Por ajo çka fliste më shumë, ishte “Fjala” e kuruar nga Isufi, Hamza e Myrtezai. Ishin të shumtë të rinjtë, të cilët jo vetëm vizituan ekspozitën, por kërkonin të

(Poshtë) Nga ekspozita “Fjala” në SHBA

dinin edhe më shumë për historinë e Shqipërisë, për atë periudhë kur fjala duhej “burgosur” mes dhëmbësh, sepse në të kundërt të priste ai i vërteti, i ftohti, i frikshmi. Dhe ekspozita e ka një dëshmitar të atillë. Tashmë që libri ka vite që është botuar, Fatos Lubonja vendosi ta ekspozojë në formatin e tij origjinal. “Janë 41 fletë duhani, nga ai që përdornin të burgosurit për “të dredhur” duhanin e hapur që u vinte nga familja. Janë shkruar në një nga qelitë e burgut të Burrelit, me një laps plumbi, tresh, shumë i fortë, që nuk konsumohet shpejt. Majën e lapsit e mprehja vazhdimisht me një copë brisk të vogël, të cilin e mbaja edhe atë të fshehur”, ka treguar Lubonja në një intervistë për “Panoramën”, një pjesë e së cilës e ka ndjekur instalacionin e tij deri në New Orleans. Të rinjtë që i qasen, përdorin lupën që është vendosur pranë, pikërisht me këtë funksion. Germat janë të vogla, gati mikroskopike.. Por nuk ka rëndësi madhësia e germës, por pesha e fjalës… Ishte ajo fjalë për të cilën babai i artistes Najada Hamza kujdesej aq shumë në vitet e diktaturës. Ishte një merakli librash, të cilëve u bënte kapakë të rinj, të

Punë e Najada Hamzës

shkruar me kujdes. Dhe një copë biblioteke, e cila të kujton erën e tushit e të vinovilit, por edhe kuriozitetin e fëmijërisë, Hamza e ka përcjellë në këtë ekspozitë. Autoironik Ardian Isufi me punët e tij. Njëra është një gazetë “Zëri i Popullit”, ku flitet për “Pionierët e Enverit” e një ndër ta ishte edhe ai, e ardhmja e Shqipërisë socialiste. Ndërsa tjetra, e cila ka një lidhje organike me të parën, paraqet një kalli misri, por jo me kokrra të zakonshme, por me dhëmbë. Është një kalli misri hibrid, si “njeriu i ri” i socializmit, i “prodhuar” për të kafshuar tjetrin. Blloku i Genc Përmetit, mbajtur nëpër xhepat e pantallonave, merr jetë pas rënies së komunizmit. Atëherë, kur të gjendur në boshllëk, shqiptarët kishin nevojë të mblidhnin sa më shumë informacion për botën jashtë. Aty janë gjithfarë adresash, anekënd botës. Ca syresh ndoshta Përmeti i ka harruar se cilat janë, por atëherë merrnin një rëndësi të jashtëzakonshme. Ishte hapja… Lad Myrtezai ka çuar deri në Amerikë një dyshek të mbledhur rrotë, shoqëruar nga një video. Është një nga ata dyshekët me vija, prej lecke, që të gjithë i kishim në shtëpitë tona deri para ’90-s, por edhe ca më vonë. Është dysheku i rinisë. Me shumë gjasë ai dyshek ka dëgjuar shumë gjëra… Për Gazmend Lekën, fjalët nuk janë thjesht ca shenja që lidhen në mënyrë arbitrare me të shënuarin. Ato janë mister i vërtetë. Një botë e gjallë misteresh, të cilat nëse i zbërthen, ndoshta arrin të zbulosh të fshehtat më të mëdha të njerëzimit. I apasionuar pas simboleve e miteve, Leka bën një tentativë, për të na zbërthyer fjalën…

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura