Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 29-vjeçar që kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe dyshohet se ka kryer disa vjedhje në lokale, në bashkëpunim me dy persona të tjerë.
Në pranga ka rënë edhe njëri prej bashkëpunëtorëve, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personit të tretë.
Gjatë operacionit u sekuestruan një automjet dhe veshjet që autorët përdornin për t’u maskuar gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Hetimet kanë treguar se më datë 18 nëntor, gjatë natës, në lagjen nr. 18 të qytetit, këta dy shtetas, së bashku me një person ende të paidentifikuar, kanë vjedhur sende me vlerë rreth 3 000 000 lekë të vjetra nga lokali i shtetasit L. K.
Policia njofton se, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon gjithashtu dokumentimi ligjor i vjedhjeve të tjera të dyshuara.
Njoftimi:
Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Masa”
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe kryente vjedhje në lokale, në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë; identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 29-vjeçari.
Në pranga edhe njëri nga bashkëpunëtorët e tij, ndërkohë që vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër.
Sekuestrohet një automjet dhe veshjet që këta dy shtetas përdornin për t’u maskuar kur kryenin vjedhje.
Gjithashtu, në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Masa”, identifikuan, lokalizuan dhe ndaluan shtetasit:
A. T., 29 vjeç, banues në lagjen nr. 4 Durrës, i dënuar më parë dhe aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për një aksident rrugor me pasojë jetën, i ndodhur në vitin 2022.
M. Ç., 30 vjeç, banues në lagjen nr. 8 Durrës.
Ndalimi i këtyre dy shtetasve u bë pas një pune intensive të ndjekur nga ana e specialistëve të Hetimit të Krimeve, ku ka rezultuar se këta dy shtetas, në bashkëpunim edhe me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, më datë 18.11.2025, gjatë natës, në lagjen nr. 18 Durrës, në lokalin e shtetasit L. K., kanë vjedhur sende të ndryshme brenda lokalit, me vlerë 3 000 000 lekë të vjetra.
Në vijim të operacionit, u bë e mundur gjetja e automjetit që këta shtetas kishin përdorur për të transportuar sendet e vjedhura, si dhe rrobat që autorët kanë përdorur në vjedhje.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin e bashkëpunëtorit të tyre, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
© Panorama.al












