Arratisja e Altin Ndocit, avokati: Po verifikoj librin e takimeve të tij! S’kam pasur kontakte me të kohët e fundit

Jan 15, 2026 | 12:24

Është zhvilluar këtë të enjte në GJKKO seanca e radhës për dosjen “Plumbi i Artë”, ku në sallë u lexua shkresa e Burgjeve, sipas së cilës Altin Ndoci nuk mund të shoqërohet, pasi është arratisur dhe është person i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.

Altin Ndoci (3)

Pas seancës, avokati i tij, Aldo Shkëmbi, u shpreh për mediat se me klientin e tij nuk ka  pasur kontakt kohët e fundit, ndërsa është duket verifikuar librin e takimeve të Ndocit.

“Jam duke bërë verifikimet për arratisjen e tij, normalisht do kem edhe librin e takimeve. Unë si mbrojtës kam shumë kohë që nuk e kam takuar, pasi nuk e kam parë të arsyeshme”, tha ai.

Më tej ai theksoi se me Ndocin ka pasur një marrëdhënie formale dhe profesionale dhe se nuk ka pasur as kontakt fizik apo telefonik.

“Jam duke bërë verifikimet për arratisjen e tij, normalisht do kem edhe librin e takimeve. Unë si mbrojtës kam shumë kohë që nuk e kam takuar, pasi nuk e kam parë të arsyeshme përderisa gjyqet i kemi pasur javë për javë dhe çfarë ndodh në proces bëhet e njohur edhe në media dhe nuk ka qenë e nevojshme që të takohesha. Kemi pas një marrëdhënie formale dhe profesionale. Nuk kemi pasur as kontakt fizik as telefonik”, tha avokati i Altin Ndocit, Aldo Shkëmbi.

Drejtoria e Burgjeve ka njoftuar zyrtarisht Gjykatën e Posaçme për arratinë e Altin Ndocit. Shkresa e DPB u lexua gjatë procesit gjyqësor, ku ndër të tjera thuhet se shoqërimi i Ndocit për në gjykatë nuk mund të bëhet, pasi ai është i arratisur dhe po kërkohet nga policia.

“Nuk mund të bëhet shoqërimi i Altin Ndocit, pasi nuk ndodhet në ambientet e IEVP Durrës, si pasojë e arratisjes së tij nga Spitali Rajonal Durrës. Është shpallur në kërkim nga policia”, citoi gjykata shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Hetimet

Hetimet për arratisjen e Altin Ndocit janë shtrirë te të gjithë personat që kanë zhvilluar takime me të gjatë gjashtë muajve të fundit në burgun e Durrësit. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se personat që e kanë takuar Ndocin rezultojnë të jenë edhe organizatorë të dyshuar të planit të arratisjes.

Autoritetet po verifikojnë tabulatet telefonike të familjarëve, si edhe të çdo personi që ka pasur kontakt me të në ambientet e burgut. Sipas të dhënave paraprake, arratisja dyshohet se ka qenë e mirëplanifikuar.

Ndoci është shoqëruar drejt spitalit pa pranga dhe vetëm nga dy punonjës të policisë së burgjeve, ndërkohë që protokolli i sigurisë parashikon shoqërimin nga katër efektivë.

Nderkohe per kapjen e tij kontrolle po zhvillohen në shumë banesa ne Pukë vendlindjen e tij, në Tiranë dhe Elbasan. Makina është parë për herë te fundit ne autostradën Durrës Tiranë, territor te Tiranës dhe më pas eshte zhdukur.

Arratisja

Ngjarja ndodhi mesditën e 13 janarit, në Spitalin e Durrësit. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga 2 policët që e ruanin te dera e dhomës spitalore, por gjatë këtij momenti i sulmoi dhe u arratis.

Plani i arratisë ishte i mirorganizuar pasi në dalje të spitalit të Durrësit e priste një “Audi A7”, me targë të vjedhur ditët të para të këtij viti.

Sipas të dhënave policore, dyshohet se ky automjet është kapur nga kamerat në autostradën Durrës-Tiranë duke bërë të mundur kështu edhe ushtrimin e dhjetëra kontrolleve në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë mbrëmjes së të martës forca të shumta policie ushtruan kontrolle edhe në vendlindjen e tij, në fshatin Krajen të Lezhës, por edhe në disa vende ku ai dyshohet se ka njerëz të besuar, ndërkohë që në fakt ende është e dyshimtë fakti që policia të ketë informacion të saktë mbi mjetin me të cilin mund të ketë lëvizur i arratisuri, pasi sipas informacioneve konfidenciale ka dyshime që numri i personave të përfshirë në realizimin e planit të Ndocit është i madh.

© Panorama.al

Te lidhura