Armë në çantën e 19-vjeçares, prangoset me drejtuesin e mjetit

May 18, 2012 | 14:09

FIER – I gjendet pistoletë në çantë, Policia e Fierit arrestoi vajzën 19-vjeçare dhe drejtuesin e mjetit. Burime të Policisë bënë të ditur se janë prangosur shtetasit Vanesa Rizai, lindur në Shkodër dhe banuese në Vaun e Dejës dhe Bushi Hatillari, 25 vjeç, banues në Roskovec. Gjatë një kontrolli rutinë, blutë gjetën në automjetin me të cilin udhëtonin një pistoletë. Mësohet se ata janë kapur në flagrancë nga patrulla e përgjithshme e Policisë në lagjen “Sheq i Vogël” në Fier, teksa ishin duke udhëtuar me mjetin e tyre tip “Dacia”, me targa AA 406 DI. Fillimisht policia u ka kërkuar dokumentet e mjetit për një kontroll rutinë. Por kur kanë parë vajzën shumë të shqetësuar, ata kanë dyshuar se diçka nuk shkonte. Për këtë shkak, policia vendosi t’i kryente një kontroll mjetit dhe dy të rinjve, të cilët sipas dëshmisë së tyre janë miq me njëri-tjetrin. Gjatë kontrollit të ushtruar, në çantën e 19-vjeçares u gjet pistoleta e tipit “Zastava” me një krehër, por që nuk kishte fishekë. Policia u komunikoi atyre arrestimin menjëherë pas konstatimit të armës me akuzën “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Ata janë marrë në pyetje, por deri tani nuk kanë treguar se kujt i përket arma dhe pse e mbanin me vete. Familjarë të djalit nga Roskoveci janë marrë në pyetje, por ata nuk kanë qenë në dijeni as të shoqërimit të djalit me vajzën, dhe as për armën. Ndërkohë, policia i ka kërkuar bashkëpunim edhe Policisë së Shkodrës për të marrë në pyetje familjarët e vajzës. Nga deklarimet e deritanishme të dy të rinjve, mbetet ende e paqartë për policinë vizita e vajzës në qytetin e Fierit. Ata kanë pohuar se janë thjesht miq, por kanë heshtur për motivin e lëvizjes me armë në çantën e vajzës. Paraprakisht dyshohet se arma i përket 25-vjeçarit. Policia e sekuestroi atë dhe pritet të çohet në laboratorin balistik për të konstatuar nëse është kryer krim me të. m.r

© Panorama.al

Te lidhura