“Arjan Selimi”, policia: S’ruajmë dot të liruarit

Oct 9, 2011 | 12:47
Kufoma e 37-vjeçarit Arjan Selimi në vendin ku ndodhi vrasja

Policia shqiptare e shfajëson veten nga çdo përgjegjësi në vrasjen e Arjan Selimit (Armand Andoni), i cili u ekzekutua me armë, më 26 shtator 2011, kur ndodhej në masën arrest shtëpie për trafik droge. Burime nga grupi hetimor i ngjarjes kanë thënë se pas vrasjes së 37-vjeçarit në Tiranë, është kryer një analizë e përgjegjësive, pasi Gjykata e Lartë, në maj 2011, kishte vendosur që i dyshuari të mbahej në masën arrest shtëpie deri në fund të rigjykimit me akuzën e trafikut të narkotikeve. Sipas rregullave ligjore, masa e sigurisë arrest shtëpie nënkupton qëndrimin e të akuzuarit brenda në banesë dhe mundësisht, ruajtjen e tij me efektiva policie, të cilët garantojnë zbatimin e vendimit të dhënë nga gjykata, duke mos lejuar largimin e personit nga banesa edhe nëse ai tenton një gjë të tillë. Mirëpo, mbrëmjen e 26 shtatorit 2011, teksa është përballur me vrasësit në oborrin e pallatit ku banonte, tek ish-Parku i Autobusëve në Tiranë, Arjan Selimi ka qenë krejt i vetëm. Asnjë efektiv policie nuk qëlloi në atë zonë, në kohën kur i dënuari një herë me 16 vjet burg për trafik droge, tashme në rigjykim për këtë dënim, u qëllua 20 herë me armë dhe gjeti vdekjen nga pesë plumba që depërtuan në trupin e tij. Pas ngjarjes, Policia deklaroi se Komisariati Nr.2 kishte vetëm pak kohë që kishte kryer një patrullim në zonë, mirëpo vrasësit e Arjan Selimit arritën të largohen pa lënë asnjë gjurmë. Edhe sot atentati në ambient të hapur dhe në një zonë të banuar ka mbetur pa autor. Sipas analizës së bërë nga grupi i hetimit, policia përjashtohet nga përgjegjësia e saj me argumentet se nuk kishte marrë informacion apo denoncim për rrezikun që i kanosej 37-vjeçarit. “Policia ka qenë në dijeni se Arjan Selimi banonte në atë zonë, blloku i banimit është patrulluar disa herë, por nuk ka pasur informacione apo denoncime për ndonjë rrezik”, thanë hetuesit. Sipas tyre, strukturat e policisë madje nuk kishin marrë ndonjë informacion qoftë edhe për konflikte apo probleme të Arjan Selimit. Ndërkaq, sipas hetimeve, policia megjithatë nuk ka pasur efektiva të gatshëm që të kryenin ruajtjen e zonës në vazhdimësi, për shkak se numri i personave që janë lënë në arrest shtëpie vitet e fundit është rritur ndjeshëm, dhe organet e rendit nuk kanë mjaftueshëm efektiva për ruajtjen e të gjithë të liruarve nga gjykatat. Arjan Selimi (Armand Andoni) u vra rreth orës 19:20′, në rrugën “Stavri Themeli”, në Tiranë. Viktima, 37 vjeç, është arrestuar në qershor të vitit 2004 për “trafikim të lëndëve narkotike”. Po atë natë, në vendin ku u vra Arjan Selimi, mbeti i plagosur edhe shtetasi Klevis Paulin Kola, 20 vjeç, banues në Tiranë, kalimtar në vendin e ngjarjes. Pas ngjarjes, Policia deklaroi se ka kryer veprimet proceduriale dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë mbledhur në cilësinë e provës materiale në vendngjarje 20 copë gëzhoja mod.56, kal.7.62 mm.

Atentati, hetimet pa autor
Atentati ku gjeti vdekjen Arjan Selimi mbetet pa autor, ndërsa policia dhe prokuroria kryejnë procedurat rutinë për ngjarje të tilla. Organet e rendit kanë kryer një volum të madh pune e veprimesh hetimore, ndërsa Prokuroria deklaron se krimi është pa autor dhe madje, nuk ka as pista të forta lidhur me vrasjen. Policia ka shoqëruar pas krimit më se 25 persona, që janë verifikuar dhe janë marrë në pyetje në lidhje me atentatin e më pas janë lënë të lirë. Deri tani, hetimi ka dështuar në identifikimin e autorëve, madje në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë provë.

Nëna letër Topit: Hapni dosjen
Pak ditë më parë, nëna e Arjan Selimit i shkroi një letër Presidentit të vendit, Bamir Topit. Duke iu referuar mbylljes së dosjes penale nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas vdekjes së 37-vjeçarit, nëna e Arjan Selimit (Armand Andonit) kërkoi rihapjen e dosjes, në mënyrë që të zbardhen shkaqet e ngjarjes. Luçiana Andoni i drejtohej kreut të shtetit, duke akuzuar se djali i saj ishte përballur me Drejtësinë për më se shtatë vjet, ndërsa kërkonte që dosja të mos mbyllet, por të gjykohet, sepse sipas saj, në të ishin shkaqet dhe vrasësit e Armand Andonit.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura