Arben Ristani emërohet zv.ministër i Brendshëm

Oct 17, 2012 | 14:15
Arben Ristani

Arben Ristani u emërua dje zëvendësministër i Brendshëm. Vendimi është marrë dje nga Kryeministri Berisha, i cili pak ditë më parë e falënderoi për kontributin e tij në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kryeministri Sali Berisha e kishte paralajmëruar këtë emërim, duke thënë se Ristanin do e ketë në krah në betejat kundër opozitës. “E falënderoj z. Arben Ristani që me vendosmëri dhe civilitet përballoi vështirësitë e jashtëzakonshme të krijuara nga tensionet politike të pamerituara, të adresuara ndaj tij. Garantoj Ristanin se është nder dhe kënaqësi të vazhdoj bashkëpunimin me të dhe të theksoj se ka pasur mirëkuptimin tim të plotë kur vendosi të mos kandidojë për KQZ, për faktin se ishte i pari kryetar në histori që zgjidhej me konsensusin e të gjitha forcave politike. E falënderoj, mos u bëni merak ju (i drejtohet opozitës në Parlament) se ai do jetë në krah tim, në të gjitha betejat e ardhshme dhe vende të rëndësishme”,” tha Berisha javën e shkuar në Parlament. Ministria e Brendshme do të ketë dy zëvendësminstra, Poni dhe Ristani, që njihen si specialistët më të mirë të proceseve zgjedhore në Shqipëri.

© Panorama.al

Te lidhura