Apeli liron ish-drejtorin e stadiumit, Prokuroria s’veproi

Oct 5, 2011 | 13:15
Ish-drejtori i stadiumit “Qemal Stafa”, Gazmend Sallaku

TIRANE – Gjykata e Apelit të kryeqytetit liroi nga paraburgimi Gazmend Sallakun, ish-drejtorin e stadiumit “Qemal Stafa”, i arrestuar më 15 gusht për korrupsion. Verdikti që i dha lirinë Sallakut, i cili dyshohet të ketë marrë ryshfet nga një biznesmen në këmbim të një kontrate qiraje, u shpall pak ditë më parë nga një trupë gjykuese prej tre gjyqtarësh të Apelit. Burime pranë Gjykatës bënë të ditur se shkak i ndryshimit të masës së sigurisë ndaj tij, nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje”, ka qenë mospërmbushja nga ana e prokurorisë të detyrave të dhëna nga gjykata, për afatin e parë 30-ditor të paraburgimit. Po sipas burimeve, një nga detyrat e papërmbushura ka qenë edhe ekzaminimi mjekësor i të dyshuarit Sallaku. Ky ekzaminim do të kryhej për të verifikuar kushtet shëndetësore të tij, nëse e ka apo jo të mundur qëndrimin në paraburgim. Në seancat e mëparshme të masave të sigurisë për Sallakun, nga ana e tij janë pretenduar probleme shëndetësore. Vendimi që i dha lirinë të dyshuarit Sallaku, ishte i treti vendim gjyqësor ndaj tij në lidhje me masën e sigurisë, në të cilën duhet të qëndrojë gjatë hetimeve. Tri ditë pasi u arrestua më 15 gusht, Gjykata e Tiranës caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, me afat 30 ditë. Pasi u përmbush ky afat, një tjetër vendim gjyqësor i të njëjtës gjykatë e shtoi edhe me 20 ditë të tjera afatin e qëndrimit të tij në qeli. Sipas Prokurorisë, Gazmend Sallaku në periudhën 8-15 gusht 2011 ka kërkuar para nga P.L., pronar i një dyqani kancelarie, në këmbim të lidhjes së një kontrate qiraje për një ambient në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Po sipas Prokurorisë, Sallaku akuzohet se ka marrë shumën prej 150 mijë lekësh nga biznesmeni. Por, pas arrestimit të tij në ambientet e “Qemal Stafa”, policia arriti të sekuestrojë vetëm 130 mijë lekë, të fshehura në zyrën e tij. Avokati i Sallakut ka deklaruar se paratë kanë humbur në mënyrë të paqartë, pasi në zyrë nuk ka pasur persona të tjerë veç biznesmenit që ka dhënë ryshfetin, oficerëve të policisë dhe drejtorit të stadiumit kombëtar.         ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura