Kaosi me ndërtimet, ku një apartament figuron me disa pronarë apo ngatërresat me ndryshimet e njëpasnjëshme të kontratave, pritet që të marrin fund së shpejti. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, në një intervistë televizive sqaroi se brenda janarit të vitit të ardhshëm do të miratohet një ligj që do të mundësojë hipotekimin e pallateve që në fazën e parë të punimeve, pra kur pallati është ende në ndërtim dhe s’ka përfunduar. Por ligji që do të sanksionojë këtë pjesë, do të funksionojë së bashku me një ligj tjetër, i cili është ende në diskutim. Qeveria një javë më parë miratoi një vendim që u kalon noterëve atributet e kalimit të kontratave të hipotekimit të shtëpive pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pikërisht sot, ministri Eduard Halimi do të mbajë një takim për projektligjin e ri për Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me grupet e interesit. Hipotekimi i pallateve pa leje apo evitimi i problemeve që shfaqen në procesin e ndërtimit, duket se është një nga pikat ku është përqendruar së fundmi fokusi. Pak kohë më parë, mes ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, atij të Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, dhe kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha, u nënshkrua një memorandum për përshpejtimin e hipotekimit të pallateve në Tiranë. Sipas shifrave të bëra publike, numri i pallateve të ndërtuara, por që nuk kanë një hipotekë dhe që përfitojnë nga ky memorandum dhe nga sanksionimi që do të bëhet përmes një udhëzimi, është rreth 400.
400 pallate
vlerësohet të jetë numri i pallateve të ndërtuara në kryeqytet, të cilat nuk kanë hipotekë. Lidhur me hipotekimin e tyre, pak kohë më parë u nënshkrua një memorandum mes ministrave Halimi dhe Olldashi dhe kryebashkiakut Basha.











