
Ekzaminim i hollësishëm i gjëndrës tiroide. Zbulim të metastazave në kockë, por edhe analiza në fushën e kardiologjisë. Këto janë vetëm disa nga shërbimet që do të ofrojë aparatura e re e instaluar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. I pranishëm në inaugurimin e kësaj aparature unike për spitalet publike të vendit tonë ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. “Ky është një ekzaminim shumë bashkëkohor, i cili ka munguar prej kohesh. Praktikisht klinika e endokrinologjisë është në kushtet e një niveli ekzaminimi shumë bashkëkohore dhe mjaft të lartë. Falë kësaj, koha e diagnostikimit shkurtohet dukshëm dhe ka më shumë cilësi në trajtimin e të sëmurëve, të cilët mund të trajtohen në kohë shumë të shpejtë” ,tha ministri Vasili. Sipas tij, pajisja ofron një shërbim unik për vendosjen e diagnozave për sëmundjet endokrine, por shërben edhe për diagnostikimin e shumë trajtave tumorale në organizëm. Pas një injektimi të lëndës radioaktive që bëhet në vena, aparatura arrin të japi një informacion për zonën e dëmtimit dhe, pas trajtimit me jod radioaktiv, sërish arrihet të shikohet se sa është zona e trajtuar. “Vazhdojmë të ecim në atë rrugë të konsolidimit të një teknologjie shumë bashkëkohore, duke i qëndruar larg atyre aparaturave që koha i ka lënë mbrapa dhe duke marrë atë që është në avangardën e shkencës botërore. Në këtë mënyrë rezultatet që prodhohen në klinikat tona janë të ngjashme me ato që prodhohen në klinikat jashtë Shqipërisë. Ky është rasti kur nivelet teknologjike si jashtë ashtu edhe brenda vendit flasin me një gjuhë të përbashkët”, nënvizoi Vasili. Aparatura “Gamma Camera” ka një vlerë prej 700.000 USD (100.000 USD për blerjen e saj janë nga buxheti i shtetit.) Kjo aparaturë është unike për diagnostikimin e problemeve endokrine, pasi as skaneri dhe as rezonanca magnetike nuk mund të bëjnë identifikimin e qelizave të sëmura të gjëndrës tiroide.
Aparatura e re
Marrja e aparaturës së re vjen pas një bashkëpunimi me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike me qendër në Vjenë. “Gamma Camera” ose shintigrafia e re, e cila bën të mundur ekzaminimin e gjëndrës tiroide. Është e vetmja aparature e cila mund të bëjë ekzaminim të paratiroidës ose te zbuloje nëse paratiroidja është ektopike. Gjithashtu një përdorim te rëndësishëm ka G-Camera ne fushën e kardiologjisë ku mund te diagnostikoje ecurinë post operatore te miokardit por edhe te shohë dëmtimet e tij ne pacientet me diabet.











