Aparati GPS zbulon grabitësin e çekëve

May 18, 2012 | 15:11
Provat e sekuestruara në banesën e 17-vjeçarit

Arrestohet autori i dyshuar për grabitjen e tre turistëve çekë në komunën Ujmisht të Kukësit pak javë më parë. Një pakujdesi me aparaturën GPS që ua kishte vjedhur tre shtetasve çekë, i ka kushtuar prangat autorit të ngjarjes. I dyshuari, ndryshe nga si ishte përshkruar nga turistët në dëshmitë e tyre pas grabitjes, si një burrë i armatosur me automatik, rezultoi të ishte një djalë 17 vjeç, që në vend të armës, ka pasur në dorë një shkop druri ditën e ngjarjes. Zyra e shtypit nga Policia e Shtetit tha se me anë të sinjalit të GPS-së, që i dyshuari Përparim Mici e ka ndezur për të parë se çfarë ishte, është zbuluar vendndodhja e tij e më pas arrestimi në fshatin Tejdrin të Kukësit. Pas prangosjes, adoleshenti ka pranuar autorësinë e ngjarjes dhe ka treguar se objektet që u kishte vjedhur turistëve çekë i kishte fshehur në pjesën e pasme të aparatit të televizorit, në shtëpinë e tij. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një videokamera, një aparat fotografik, aparaturën GPS dhe një celular.
NGJARJA
Policia e kryeqytetit është lajmëruar për grabitjen e tre turistëve çekë rreth orës 01:05 pas mesnate të datës 2 maj 2012, nga përkthyesi i Ambasadës Çeke në Tiranë, Endrit Allushi. Ai ka lajmëruar fillimisht sallën operative të Policisë së kryeqytetit, për shkak se nuk ka arritur të gjejë kontakte me Policinë e Kukësit apo të Dibrës. Pasi policia lokale ka shkuar në vendin e ngjarjes, turistët kanë deklaruar se një person i maskuar ka dalë para makinës, brenda të cilës ata po flinin dhe duke i kërcënuar me automatik u ka vjedhur paratë dhe sendet personale. Turistët çekë, David Kuback, Michael Benatsky, Vladimir Cerny, ndodheshin në një automjet tip “Land Rover”, të bardhë me shirit të zi, me targë CS 853 8918. Ata kishin udhëtuar rreth 20 kilometra në dalje të Kukësit, rrugës që lidhet me Dibrën dhe kur kishin ndaluar për të pushuar në vendin që njihet si Ura e Tejdrinit, një person i maskuar me një kapuç të zi, i ka dalë para makinës duke i drejtuar tytën e automatikut dhe më pas i ka grabitur.
ARRESTIMI
Menjëherë pas grabitjes së 3 shtetasve çekë, Policia e Kukësit pati shoqëruar mbi 20 persona të dyshuar dhe gjatë këtyre dy javëve është kryer një punë intensive hetimore, e cila solli arrestimin e të dyshuarit, Përparim Mici, mëngjesin e djeshëm. Pas arrestimit Mici ka pranuar autorësinë e ngjarjes dhe ka treguar se objektet e vjedhura i kishte fshehur brenda në kutinë e aparatit të televizorit në shtëpinë e tij dhe më pas i ka dërguar forcat e policisë te plevica ku kishte fshehur edhe kamerën. Gjatë kontrollit në banesë nuk i është gjetur armë zjarri dhe ndryshe nga çfarë thuhej në denoncimin e shtetasve çekë, që pretendonin për vjedhje me armë, i dyshuari ka pranuar grabitjen, por ka mohuar të ketë qenë i armatosur. Ai ka deklaruar se ka pasur vetëm një shkop druri në dorë, që për shkak të errësirës atyre mund t’u jetë dukur si automatik.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura