Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë shfuqizoi më 22 shtator 2011 dënimin e dhënë nga Gjykata e Korçës për një shtetas të akuzuar për trafikimin e një vajze dhe shfrytëzimin e saj për prostitucion. Shkak për rrëzimin e dënimit dhe kthimin e çështjes në rigjykim, ka qenë procesverbali i dëshmisë së vajzës së trafikuar, rrëfim i pranuar si provë, ndonëse sipas Gjykatës, vajzës nuk i ishte thënë se kishte të drejtë të mos dëshmonte ndaj tutorit të saj. Po kështu, sipas Gjykatës, shkelje tjetër ka qenë zvarritja e procesit, pasi i akuzuari ka ndërruar gjashtë avokatë që nuk janë paraqitur rregullisht në seanca. Përfituesi nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është shtetasi Aurel Kota, i përfaqësuar nga avokati Përparim Sanxhaku. Gjykata Kushtetuese ka anuluar gjithë vendimet e mëparshme dhe ka urdhëruar rigjykimin e dosjes edhe njëherë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë.
Historia
Më 4 prill 2003, Gjykata e Korçës dënoi shtetasin Aurel Kota me shtatë vjet burg për kryerjen e veprës penale të shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese. Më 17 tetor 2003, Gjykata e Apelit vendosi pushimin e gjykimit. Prokuroria bëri ankim, dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, më 19 maj 2004, vendosi prishjen e vendimit të Apelit dhe kthimin e akteve po asaj Gjykate për rishqyrtimin e çështjes. Përsëri, më 11 nëntor 2004, Gjykata e Apelit Korçë ka vendosur prishjen e vendimit dhe pushimin e gjykimit. Më pas, më 12 dhjetor 2005, Kolegji i Gjykatës së Lartë prishi sërish vendimin e apelit Korçë dhe kthimi i dosjes prapë në këtë Gjykatë për rishqyrtim. Më 26 tetor 2007, Gjykata e Apelit Korçë ka lënë në fuqi dënimin me shtatë vjet burg të dhënë më 7 prill 2003 nga Gjykata e Shkallës së Parë Korçë. Ky vendim i Apelit përbën kundërshti me dy vendimet e mëparshme të dhëna nga po kjo Gjykatë për të njëjtën çështje. Vendimi në fjalë u la në fuqi në Gjykatën e Lartë, por më pas i dënuari u ankua në Kushtetuese. Argumenti kryesor i të dënuarit ka qenë se gjykatat më të ulëta kanë cenuar nenin 32/2 të Kushtetutës, pasi ai është deklaruar fajtor mbi bazën e një prove të marrë në mënyrë të paligjshme. Sipas tij, dëshmia e shtetases N.C. është marrë në kundërshtim me nenin 158 (pika 1, shkronja “ç”, dhe pika 2) të Kodit të Procedurës Penale (KPP), sepse ajo nuk është vënë në dijeni për të drejtën për të mos dëshmuar. Po kështu, avokati ka pretenduar në Kushtetuese se sigurimi i dëshmisë së prostitutës është bërë nga i njëjti gjyqtar që kishte dhënë masën e sigurisë ndaj shtetasit Aurel Kota.
Trazhgim Sokolaj











