Dy ndër aktorët më përfaqësues të komedisë amerikane, Jennifer Aniston e Adam Sandler, vijnë së bashku në një komedi romantike mbi dashurinë, besimin tradhtinë, të vërtetën dhe gënjeshtrën. “Just go with it” është një film që mban firmën e regjisorit Dennis Dugan dhe që prej ditës së djeshme ka nisur shfaqjen e tij në Kinema “Millenium” në Tiranë. Jennnifer Aniston është spala komike e Sandler në rolin e asistentes së tij. Surpriza e filmit është edhe pjesëmarrja e aktores Nicole Kidman në një pjesë mjaft zbavitëse, e cila i kthehet komedisë pas shumë vitesh. Danny prej vitesh shtiret sikur është i martuar dhe ka vënë rrethin e martesës, me qëllimin e vetëm që të mos impenjohet seriozisht në një lidhje. Por kur takon vajzën e ëndrrave, ndryshon mendje. Heq unazën, por shenja e saj mbetet në gisht. Për të dalë nga situata, shtiret sikur është i divorcuar, por e dashura nuk pranon të lidhet me të, pa u takuar më parë me ish-gruan…











