
Një anije e ngarkuar në sasi të konsiderueshme me materiale ushtarake të llojit të ndryshëm, u ndalua për verifikim në radën e Portit të Durrësit që prej ditës së premte. Burime nga kapitaneria e Portit të Durrësit bëjnë të ditur se anija me flamur moldav, në bordin e së cilës ndodhet ekuipazh shqiptaro- serb, e ardhur nga Mali i Zi, po qëndroi në radën e Portit të Durrësit që prej katër ditësh, ku nga ana e Policisë Kufitare si dhe doganës është verifikuar dokumentacioni i saj. Sipas kapitanerisë së Durrësit, anija me itinerar Mali i Zi-Kroaci dhe me destinacion Irakun ndaloi në radë për të marrë furnizime të ndryshme për ekuipazhin, si dhe për të riparuar pajisjen e xhiros së busullës. Pas kryerjes së këtyre procedurave, nga ana e kapitenit të anijes është kërkuar largimi i saj, por autoritetet shqiptare nuk e kanë lejuar të largohet deri në verifikimin e plotë të dokumentacionit. Pas kontrollit të imtësishëm të dokumentacionit mbi mallin që dispononte anija “Pyramis”, por edhe të itinerarit që kjo e fundit do të ndiqte, ka rezultuar gjithçka e rregullt. Burime konfidenciale pranë Policisë Kufitare thonë se anija është ngarkuar në Portin e Antivarias në Mal të Zi, rreth 30 milje larg kufirit shqiptaro-malazez, por nuk japin shpjegime për arsyet e ndalimit të mjetit lundrues. Sipas burimeve konfidenciale, armët janë të prodhimit serb. Ato janë kryesisht armatime të lehta dhe të vogla, si dhe artileri të ndryshme, deri tek sistemet për marrje në shenjë. Gjithashtu, nga burimet konfidenciale mësohet se armatimet janë prodhuar në fabrikën “Cervena Zastava” në qytetin e Kragujevac, qyteti i katërt për nga madhësia në Serbi, si dhe në fabrikën e “Krushik” në Valjevo, në Serbinë Perëndimore. Kapitaneria saktëson se ngarkesa me armë e anijes është ligjore dhe konfirmon se bllokimi i anijes ndodhi pasi agjencia e lundrimit kërkoi të bëhen verifikime të mëtejshme. Në ngarkesë ndodheshin municione të ndryshme, si predha për obuz, “Topa” 155 mm, të markës “Dora”, predha mortaje 120 mm, të tipit “HE shoropnel”, si dhe të tipit ndriçues. Në orët e mbrëmjes së djeshme, anija është lejuar që të vazhdojë lundrimin drejt destinacionit, bashkë me ngarkesën.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ











