Anatomia e një argumenti të majtë

Apr 9, 2011 | 10:27

APOLLON BAÇE

1. Nuk do të preferoja t’ia nisja polemikës për teorinë dhe praktikën e restaurimit me prehistorianin Lorenc Bejko, njohuritë e të cilit për këto fusha janë të njëjta me njohuritë e dentistëve për gjinekologjinë. As me enciklopedinë ambulante Mustafa Nano, e cila për gjithçka di thuajse asgjë.  Për këtë më shtyu dendësimi i deformimit dhe politizimit skajor të gjithçkaje nga e majta në funksion të fushatës elektorale. Parë në këtë optikë, shkrimet e zotërinjve Bejko/Nano për kalanë e Lezhës vlejnë për të zbërthyer dhe kuptuar “argumentet” e kësaj të majte edhe në drejtimet e tjera. Gjithnjë në ndjekje të postulatit të Wölfflin-it: Nëse kupton një lloj arti, kupton lehtë edhe artet e tjera.
Politizimin e një argumenti, në dukje thjesht etik, e ilustron bukurmirë fraza përmbyllëse e artikullit të z. Nano “I janë derdhur kalasë së Lezhës”:
“Uf! Mesjetë. Po jetojmë kohë dramatike. Këtë vend po e merr lumi. Një bandë plaçkitësish që nuk ka kush t’i pengojë në bëmat e tyre: Për të bërë plaçkë, u duhet të fitojnë zgjedhjet; që të fitojnë zgjedhjet, duhet të kenë plaçkë,… për të bërë plaçkë u duhet që të jenë se s’bën në pushtet; që të jenë më të sigurt u duhet të trembin dhe institucionet e drejtësisë apo institucione të tjera; e që të blindohen fare, kanë bërë për vete dhe ambasadorët”.
Shkurtimisht, plaçkitja e kalasë së Lezhës nga banda plaçkitëse parashtetërore shërben për blerjen shtetërore të sa më shumë ambasadorëve. Blerja shtetërore e sa më shumë ambasadorëve lejon fitimin e pandershëm të pushtetit. Fitimi i pandershëm i pushtetit e lejon bandën plaçkitëse parashtetërore/shtetërore që të vjedhë sa më shumë plaçkë. E tëra sipas “spirales dialektike”, sa më shumë plaçkë, aq më shumë ambasadorë dhe sa më shumë ambasadorë, aq më shumë plaçkë.
Ndonëse z. Nano e mbyll shkrimin me frazën aristokratike “I’m sorry! Nuk kam zgjidhje”, ai e ka dhënë zgjidhjen diku nga mesi: “Ka kthyer ndokush përgjigje? Kryeministri? Ministri? Ndonjë prej të akuzuarve? As që bëhet fjalë. Duhet folur prapë, jo për t’i bërë të mëdhenjtë që të flasin, por për të bërë të vegjlit të kuptojnë”. Duke iu afruar kështu intuitivisht formulës së Robespierit, “Përmbysja nis me kuptimin e gjendjes nga vegjëlia”. “Et puis”, po më tej? pyet Robespieri.
“Njerëzit janë në një gjendje vibrante”, i përgjigjet kësaj pyetjeje Nano. “Ndonjëherë më duket se janë gati për një rebelim të frikshëm… Më e pakta, do të shkonin atje, në kalanë e Lezhës, e do ta mbronin me shpata e sëpata…. Po ju ftoj që të shkojmë”. Dhe Robespierit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të kopjojë z. Nano “Tous à la Bastille, drejt kalasë, me sfurqe dhe sëpata”.
2. Për ta analizuar përputhjen e shkrimeve të zotërinjve Nano dhe Bejko dhe emisionin e Top Chanel me realitetin, do të huazoj citatet e  zotërinjve Nano/Bejko dhe materialin grafik të projektit. Sipas z. Nano: “Disa nga faktet, dua ta theksoj: janë fakte, e jo opinione, janë: 1. Mbi rrënojat e Akropolit Antik të Lisit do të ndërtohet një fshat turistik malor. 2. Trojet historike të mbretërive ilire,… sarajet e Dukagjinëve do t’i shiten për gjellëtore, për hotele e motele. 3. Oda ku janë mbledhur prijësit shqiptarë për të bërë besëlidhjen, do të kthehet në restorant mish dhie. 4. Atje ku u dergj Skënderbeu në prag të vdekjes, do të ndërtohet një thertore. 5. Atje ku fare mirë mund të ishte një muze etnografik, do të ndërtohen nevojtoret publike. 6. Mbi rrënojat e kishës së shekullit të 13-të do të ndërtohet një diskotekë nate. 7. Bujtina e miqve të princave dukagjinas (e kthyer në xhami pas pushtimit turk), do të kthehet në restorantin e produkteve të mishit të derrit. 8. Cisterna antike do të kthehet në depo për ruajtjen e turshive. 9. Varrezat mesjetare do të kthehen në vend parkimi për automjetet. 10. Numri i mishngrënësve dhe maniakëve të seksit do të numërohen për vizitorë të turizmit kulturor.
Nisur nga këto “fakte”, z. Bejko hedh penelatat e tablosë së orgjisë së pritshme: “Turma turistësh do të dynden të shijojnë erën e dhjamit të djegur të mejhanes? Apo të frymëzohen për traditën historike shqiptare në shoqërinë e pompës hidraulike, magnetofonit të çjerrë, qyfyreve të mejhanes dhe shkarkimit të mbetjeve njerëzore nga kati i dytë i motelit drejt qytetit të poshtëm?”.
Në ndjekje të grishjes së z. Nano të një proteste myslimane për shkak të përdhosjes së gatimit të mishit të derrit në xhami, ndërsa z. Bejko synon zgjerimin e saj në protestë myslimane panshqiptare: “Në mes të natës filloi të mbijë në kalanë e Shkupit një kishë ortodokse,… intelektualisht e korruptuar dhe moralisht e patolerueshme. Shpresoj që shqiptarët e Shkupit të frymëzojnë edhe shqiptarët e tjerë për respekt për pasurinë e trashëguar nga të parët”.
Edhe sikur një Sese Seko Nkuku Ngbendu wa Za Banga, d.m.th. Mobutu, t’i kish kthyer xhamitë në bujtina mishi derri, kishat në diskoteka, dhomat mortore të heronjve në thertore, cisternat mesjetare në depo turshish dhe muzetë etnografikë në nevojtore publike, qeveria “Mobutu” duhej rrëzuar dhe drejtori i saj i Monumenteve të hante të paktën një plumb ballit. Si e tillë, ofshama e Nanos “Uf, mesjetë!” është thjesht aromë parfumi gruaje. Kanibalizëm do të ishte termi i përshtatshëm.
3. Sa i përgjigjet kjo realitetit?
Larg thirrjeve idilike bejkojane për “qetësi, natyralitet, kontakt me autenticitetin e së kaluarës dhe mbretërim magjie”, kalaja e Lezhës është një terren i djerrë, i mbushur me ferra dhe papastërti, me mure mbrojtëse të rrëzuara (fig. 1) dhe me disa rrënoja të ngrehinave të Xhandarmërisë turke të vitit 1904.
Në përputhje me strategjinë qeveritare për zhvillimin e turizmit kulturor, IMK dhe MTKRS shpallën ofertën për rivitalizimin e objektit, të cilit iu përgjigj firma “Schnell sh.p.k”, nëpërmjet projektit të hartuar prej njërit nga arkitektët më me përvojë në fushën e restaurimit, z. Reshat Gega.
Projekti nuk përmban gërmimin e asnjë centimetri terren për themele, por vetëm ringritjen e mureve të ngrehinave të xhandarmërisë, që ruhen në lartësi 1-2 kate. Koeficienti i shfrytëzimit të sipërfaqes në të është 2%, çka dhe e diferencon qartë nga precedenti i kalasë së Lëkurësit, me koeficient shfrytëzimi 100% dhe syprinë totalisht të betonizuar të kalasë (by the way, të miratuar nga ish-ministri i MKRS-së, Edi Rama). Projekti i mësipërm u miratua unanimisht nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit (KKR), i cili, pavarësisht vlerësimit nga z. Bejko si kreaturë debile “pa koherencë profesionale apo gjykim racional”, është instanca më e lartë shqiptare e fushës dhe përbëhet nga specialistë prej më të spikaturve në fushën e restaurimit dhe arkitekturës.
Projekti me vlerë 1 067 000 euro parashikon restaurimin e mureve të shembura të fortifikimit (fig. 2), konservimin dhe rrethimin e kishës paleokristiane (fig. 3, “diskoteka e natës” e z. Nano) dhe rivitalizimin e rrënojave të xhandarmërisë. Përkatësisht një muze arkeologjik  (fig. 4, 5 “nevojtorja publike” e z. Nano), një bibliotekë (xhamia- restorant mishi derri e z. Nano), një dyqan për tregtimin e librave dhe albumeve arkeologjikë (restoranti për mish dhie i z. Nano), dy dhoma për vizitorë të rangut të lartë (motelet për maniakë seksi të z. Bejko dhe Nano), një bar-minimuze etnografik  me 4-5 tavolina për kafe dhe ushqime të thata (fig. 7, mejhania me dhjamë të djegur, qyfyre dhe magnetofona të çjerrë e z. Bejko) dhe 3 tualete që vizitorët të mos dalin në natyrë (shkarkimi i mbetjeve njerëzore nga kati i dytë i motelit drejt qytetit të poshtëm i z. Bejko). Sqarimi se cisterna nuk do të kthehet në depo turshish më duket i tepërt.
4. Sipas programeve të BE-së, “prioritet i padiskutueshëm i BE-së është edukimi nëpërmjet trashëgimisë kulturore nëpërmjet së cilës mund të korren të ardhura tejet të rëndësishme”.
Sipas sugjerimeve të UNESCO-s, “turizmi në Shqipëri, një nga shtetet me pasuri më të spikatur në fushën e monumenteve, nuk mund të zhvillohet veçse mbi bazën e vlerësimit të trashëgimisë kulturore”.
Sipas specialistëve të ISCCT (International Scientific Comittee on Cultural Tourism), të UNESCO-s, “turizmi kulturor mund t’i sigurojë Shqipërisë, brenda 5 vjetëve të ardhshme, 20-24% të PBB”, rreth 6 miliardë dollarë.
Krahas kthimit të industrisë turistike në element thelbësor të PBB-së, ky turizëm kulturor plazmon kujtesën historike si garanci të identitetit kolektiv të kombit dhe dëshmon përfshirjen e Shqipërisë në radhët e popujve kulturë-formues europianë. Si e tillë, në kushtet e zhvillimit të infrastrukturës rrugore, rëndësi thelbësore merr paraqitja dinjitoze e monumenteve dhe rivitalizimi i tyre në funksion të tijin. Kjo dhe është arsyeja e miratimit të projektit dhe jo “numërimi si vizitorë të turizmit kulturor e mishngrënësve dhe maniakëve të seksit”, as organizimi i “turmave të turistëve që do të dynden të shijojnë erën e dhjamit të djegur të mejhanes”, as edhe plaçkitja për blerjen e ambasadorëve.
Përsa u përket poezive “sa bukuri ka tufa, sa gaz bie bagëtia” të z. Bejko, d.m.th. “intimitetit, atmosferës krejtësisht magjike, qetësisë, natyralitetit, kontaktit me autenticitetin e së kaluarës”, do t’ia linja në dorë lexuesit të zgjidhte midis plehrave, dheut, ferrave, togjeve me gurë, papastërtive, shiut rrebesh dhe diellit në zenit dhe monumenteve të restauruara, terrenit të kultivuar, muzeut arkeologjik dhe bar-restorantit ku do të mund të qetësoheshin dhe të pinin një kafe. Nuk jam në dijeni se çfarë bëhet në ato shtetet “idilike” të Bejkos Nauru a Tuvalu, por nga Italia në Angli dhe Suedia në Egjipt, respekti ndaj vizitorit mbizotëron ndaj “atmosferës krejtësisht magjike” të zotit Bejko.
Duke e ripërmbledhur në pak fjalë, do të vëreja se rivitalizimi i kalasë së Lezhës është një nga projektet më të arritur të kësaj fushe dhe jo vetëm për Shqipërinë, se tabloja e pikturuar nga zotërinjtë Bejko/Nano është thjesht një halucinacion, se e tëra është një sharlatanizëm politik në jehonë të këngës së magjistricave të Makbethit, “aty nxin një gjë e bardhë, aty zbardh një gjë e zezë” dhe se vetë analiza vlen për të kuptuar sesa të bazuara janë edhe “argumentet” e tjera të së majtës dhe nëse i bazon thirrjet “à la Bastille” kjo e majtë.

© Panorama.al

Te lidhura