Amnistia, rivlerësohen 350 milionë USD prona dhe asete

Oct 15, 2011 | 10:44
Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj

Amnistia fiskale e kërkuar nga biznesi, tani duket se është bërë më atraktive për individët. Të dhënat e publikuara dje nga Ministria e Financave për mediat reflektojnë një interes më të madh të qytetarëve për të rivlerësuar pasuritë e paluajtshme.  Nga muaji maj që ka hyrë në fuqi ky ligj, janë rreth 4 mijë individë që kanë bërë një rivlerësim të pasurive të paluajtshme, kryesisht shtëpi, të cilat kanë pasur një vlerë totale të rivlerësuar prej 30 miliardë lekësh. Këta qytetarë kanë paguar vetëm 300 milionë lekë në favor të qeverisë dhe u janë falur 2.7 miliardë lekë të tjerë. Gjatë kohës së amnistisë, kjo ishte dhe një nga pikat që iu mëshua më fort, pasi çdo qytetar që ka në pronësi një pasuri të cilën e ka blerë me një vlerë të disa viteve më parë mund ta rivlerësojë atë me vlerën aktuale të tregut, duke paguar vetëm 1 për qind të shumës. Kurse bizneset për këtë pikë të amnistisë kanë shfaqur shumë pak interes. “Pasuria e paluajtshme e rivlerësuar e bizneseve është në shumën 14 milionë lekë, nga të cilat bizneset kanë paguar vetëm 3 për qind të kësaj shume, rreth 418 mijë lekë”, u shpreh dje zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, gjatë konferencës për shtyp. I pyetur nëse amnistia do të ketë ndonjë shtyrje, zëvendësministri tha se do t’i qëndrohet korrekt afatit të fundit të dhjetorit, dhe se cilido që kërkon të përfitojë ka kohë të mjaftueshme.
Tatimet dhe Doganat
Komisionet e Faljes të ngritura pranë drejtorive tatimore rajonale kanë dhënë faljen për 44 mijë e 734 biznese, me një detyrim total prej 3.6 miliardë lekësh. Biznesi ka paguar 35.5 milionë lekë për 448 raste, detyrimet e të cilave shtriheshin në vitet 2008, 2009 dhe 2010. Të marra veç e veç vitet, të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se për borxhet e vitit 2008, biznesit të madh i është falur shuma 2.5 miliardë lekë, për  4.870 raste, biznesit të vogël i është falur shuma 387 milionë lekë, për  14.860 raste, kurse individëve u janë falur 214.7 milionë lekë, për  5.317 raste. Për borxhet e vitit 2009, “janë falur 2.013 raste në vlerën 70.8 milionë lekë dhe është bërë pagesa e tatimit për 39 raste, në vlerën 812 mijë lekë, kurse për borxhet e vitit 2010, janë falur 3.446 raste në vlerën 87.8 milionë lekë dhe është bërë pagesa e tatimit për 149 raste, në vlerën 15 milionë lekë. Në administratën doganore janë falur në total 10.7 miliardë lekë detyrime doganore, nga të cilat kanë përfituar 1.456 biznese dhe janë paguar 18.6 milionë lekë. Të ndara në vite, për detyrimet e vitit 2008 janë falur 1327 subjekte, për vitin 2009 janë falur 87 subjekte, kurse për vitin 2010, 92 subjekte. Qytetarët kanë treguar interes të lartë edhe për zhdoganimin e makinave, numri i të cilave ka arritur në 1068 automjete, me një vlerë të paguar prej 220 milionë lekësh për të përfituar faljen e po të njëjtës shumë. Në total, sipas zëvendësministrit të Financave, Alfred Rushaj, janë të falura deri më tani nga amnistia 14 miliardë lekë.

1068 automjete
janë zhdoganuar nga maji i këtij viti pranë Drejtorisë së Doganave për të përfituar nga amnistia. Për to është paguar një vlerë prej 220 milionë lekësh dhe është përfituar falja e po së njëjtës shumë. Në total, sipas Ministrisë së Financave, janë të falura deri më tani nga amnistia 14 miliardë lekë.

amnistia
Legalizimi i parave

400 milionë lekë nga individët
11.9 milionë lekë kaluan në buxhet

Legalizimi i pasurive
14 milionë lekë nga bizneset
418 mijë lekë kaluan në buxhet

Legalizimi i Pasurive
30 miliardë lekë nga individët
300 milionë lekë në buxhet
Përfituan 4 mijë qytetarë

Deri tani janë legalizuar 35 miliardë lekë asete
Deri tani janë falur 14 miliardë lekë detyrime

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura