Më në fund filmi i shumëpritur për ngjarjet e bujshme në Ushtri në vitet ‘80 vjen në ekranin e madh të kinemasë. Premiera do të jetë ditën e premte në orën 18:30, në kinema “Imperial” për miqtë e të ftuarit, për të vijuar më pas për publikun e gjerë. “Amaneti” mund të quhet filmi i rikthimeve. Është një film që të kthen pas në kohë, në vitet ’80, pas eliminimit të Mehmet Shehut dhe kur të gjithë zyrtarët e lartë në Ministrinë e Brendshme apo në Sigurimin e Shtetit prisnin t’u vinte radha. Është drama dhe lufta e brendshme në kastën e lartë të diktaturës komuniste, e cila eliminonte një nga një njerëzit e vet. Por gjithashtu është edhe një rikthim i aktores Eva Alikaj në një film artistik. E kemi parë Alikajn tashmë në skenën e teatrit dhe u deshën vite që të kthehej në ekranin e madh, ku ajo ka shënuar edhe disa prej sukseseve në karrierën e saj prej aktoreje. Në krah të Eva Alikajt luajnë aktorët Muzafer Zifla në rolin e Mentorit, Alfred Trebicka në rolin e Sokolit, Amos Zaharia, Harilla Vjera, Sulejman Dibra etj. Filmi është mbështetur mbi skenarin e Ruzhdi Pulahës, me regji të Namik Ajazit. Drejtor fotografie është Nino Çeleste, për shqiptarët i njohur si drejtor fotografie i filmit të famshëm serial “Oktapodi”. Filmi është prodhim i “Media Vizion”, me mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Radiotelevizionit Shqiptar.
Siç e tregon edhe vetë titulli, ngjarjet e filmit vërtiten rreth një amaneti. Personazhi kryesor është djali i një funksionari të lartë të Sigurimit të Shtetit, të cilit i ati i lë amanet të bëjë publike në një moment të caktuar diçka që ka ndodhur. I ati ka qenë një nga personazhet kyçë që ka ndihmuar në eliminimin e të gjithë kundërshtarëve kryesorë në radhët e Sigurimit, brenda e jashtë Partisë. Por tashmë është ndezur vala e eliminimeve dhe ai pret radhën e tij për t’u goditur. Ngjarjet e filmit zhvillohen në vitin 1982 dhe lidhet me goditjet e fundit që u bënë në radhët e Ministrisë së Brendshme, pas vetëvrasjes së ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Xhirimet e filmit janë realizuar në Pogradec, Rubik, në Minierën e Bulqizës dhe në Itali.











