
“O Jezus, pranoi shpirtrat tanë”. Kjo është lutja me të cilën kompozitori Aleksandër Peçi, Mjeshtër i Madh, çel veprën e tij më të re, “Liturgji në tokën time”. Është një vepër e veçantë, kompozuar për shenjtoren shqiptare, Nënë Terezën, frymëzuar dhe mbështetur në lutjet e saj. “Liturgji në tokën time” u interpretua me rastin e lumturimit të Nënë Terezës në sallën e Akademisë së Arteve, nën interpretimin e Orkestrës së Radio-Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit francez Pierre Strauch dhe pjesëmarrjen e flautistit Pierre-Yves Artaud, pianistëve Dimitri Vassilakis e Elvis Peçi, si dhe sopranove Mariana Leka, Irini Nikolla, Rezarta Qevani. Nuk mund të kuptohej harmonia e krijuar pa ansamblin koral “Akuarel”, drejtuar nga Dritan Lumshi. Pjesëmarrje e veçantë ishte edhe ajo e aktores Roza Anagnosti, e cila shoqëroi pjesën e lutjet e Nënë Terezës. Muzika, kori dhe lutjet e nobelistes krijuan një atmosferë gati hyjnore, e cila rrëmbeu në të edhe publikun, i cili e ka në zemër shenjtoren e vet. Nuk munguan vlerësimet më të mira edhe nga muzikologë e profesorë të huaj, me emër në fushën e muzikës.
Vlerësime
“Ishin vitet ’90, të fundit e shekullit të shkuar, kur zbuloja realitetin e çmuar që po zhvillohej në muzikën shqiptare dhe e shkruaja në një artikull “L’Albania cambia musica”, të publikuar në tri gjuhë. Në atë kohë, Peçi, që shquhej për ekuilibrin e forcës shprehëse dhe ndërtimin racional, nënshkruante një faqe të rëndësishme të muzikës së re shqiptare dhe të evolucionit të tij artistik. “Dialog liturgjik” ishte fillimi i një rrugëtimi të ri e ambicioz. Peçi bëhej gjithmonë interpretuesi i një ekuilibri të ri dhe i ndjenjave kolektive, këtë herë mes një lidhjeje të shenjtë me traditën, rrënjët e ‘Tokës’, dhe një rinovimi e hapjeje në evolucion të vazhdueshëm. Elemente këto që janë prezentë edhe në muzikën e dhomës së autorit, por që gjejnë shprehjen më të mirë në vepra të mëdha vokale-orkestrale, sikurse edhe në ‘Alb postmortum’ që pason”, thotë prof. Dario lo Cicero muzikant e muzikolog në konservatorin e muzikës “V. Bellini” në Palermo. “Tani pata fatin që të marr i pari partiturën e përfunduar të ‘Liturgji në tokën time’. Një vepër me një forcë dhe bukuri gjithëpërfshirëse, ku kompleksiteti i gjuhës, në kuptimin teknik, rritet por pa shkaktuar asnjë rëndesë mbi dëgjimin. Sigurisht që dikush nëpërmjet një dëgjimi më të përqendruar do të njohë një ‘Peçi të shekullit të ri’, gjithmonë e më i pasur në referimet e muzikës kozmopolitane, meqenëse ka lëvizur në gjithë botën për të korrur sukses. Por, Peçi i shek XX mbetet gjithsesi i njohshëm nga dija e vjetër e shkallëve bizantine, nga bukuria e përnjëhershme e tyre pentatonike, nga ritmi zvarritës i zërave dhe instrumenteve, nga estetika e numrave të fshehur në bukurinë e kombinimeve tingëllore. Të gjitha elementet e kësaj muzike, të reja e të vjetra, u pëlqejnë muzikantëve dhe njohësve më ekspertë, sikurse dhe publikut të zakonshëm. Kjo është një nga pikat e forta të Peçit: të ruajë në veprat më komplekse dhe të rafinuara thjeshtësinë e komunikimit që ka një këngë”, është shprehur Lo Cicero. Vlerësime mjaft të mira ka marrë Peçi edhe nga Nicholas Tochka, profesor në Universitetin e Muzikës në New York. Ai e quan një vepër madhështore, të dimensioneve të mëdha. “Mënyra si profesor Peçi thur materialin kompozicional nga burimet e larmishme, është e mrekullueshme, siç është horizonti krijues i kësaj vepre për orkestrën e plotë, kor, 3 solistë, recituese. Kjo vepër është një homazh dinjitoz për një figurë si Nënë Tereza”. Dirigjenti dhe profesori pranë konservatorit ArtEZ në Holandë, e konsideron një gjetje të zgjuar të kompozitorit për të nderuar figurën e Nënë Terezës. “Orkestrimi me perkusione dhe tunxh të rrallë e të thellë krijojnë ndjenjën se je në katedralen më të madhe të botës, ku nuk këndojnë njerëzit, por vetë muret e lashta, xhamet në plumb dhe engjëjt nëpërmjet ngjyrave të diellit… WOW!!! Mos ndaloni të ëndërroni edhe një orë të tërë, derisa kjo vepër të tingëllojë…”, shpreh ai emocionet e veta, pasi ka dëgjuar këtë vepër. “Në tërësi, kjo vepër me kualitetet e saj poetike muzikore paraqet një begati të madhe në krijimtarinë e këtij krijuesi, por do ta plotësojë edhe atë mangësi muzikore të këtij zhanri, i cili na ka munguar dekada me radhë dhe le të shpresojmë se kësaj gjinie do t’i kushtojmë kujdes edhe më të madh në të ardhmen”, thotë ndër të tjera Akil Mark Koçi, ish-kryetar i Lidhjes së Kompozitorëve të Jugosllavisë.
ALMA MILE











