Biletat, votimi për regjistrimin u manipulua
Aleanca Kuq e zi denoncoi dje me fakte si të paligjshëm votimin në Parlament të ligjit për “Regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare”. Sipas përfaqësuesve të kësaj lëvizjeje, Aleanca do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese votimin e ligjit për “Regjistrimin e popullsisë”, për shkak se dy deputetë që nuk kanë qenë në Kuvend, rezultojnë të kenë votuar. Sipas Aleancës, tashmë është e vërtetuar se deputetet e Partisë Demokratike, Lefter Maliqi dhe Gëzim Dibra, rezultojnë të kenë qenë jashtë Shqipërisë ditën e votimit dhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike kanë votuar për ta. Përfaqësues të Aleancës bënë dje publike 2 biletat e udhëtimit të deputetëve, ku rezulton se një prej tyre ka ardhur në Shqipëri pesë ditë pas votimit, ndërsa deputeti tjetër nuk është kthyer ende. “Aleanca Kuq e Zi, për të vërtetuar atentatin inovator ndaj Parlamentit dhe fakteve të pakundërshtueshme që dy deputetët Maliqi dhe Dibra figurojnë që kanë votuar, edhe pse ndodheshin mijëra kilometra larg sallës së Parlamentit, nisur pra nga këto fakte, Aleanca Kuq e Zi shikon si të vetmen rrugëzgjidhje dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar antikushtetueshmërinë e votimit të ligjit për ‘Regjistrimit të Popullsisë mbi baza etnike dhe fetare’, për shkelje të Kushtetutës dhe të abuzimit me detyrën e deputetit”, thanë përfaqësues të Aleancës dje para zyrave të kryesisë së Kuvendit. Ata deklaruan se kanë edhe prova filmike, ku duken qartë dy deputetët të cilët votojnë për kolegët e tyre që nuk ndodheshin në sallën e Parlamentit. Sipas kësaj lëvizjeje, në Parlament nuk votuan 72 deputetë, por 70, pasi dy deputetë mungonin. Aleanca Kuq e zi ka kundërshtuar ligjin për “Regjistrimin e popullsisë mbi baza fetare dhe etnike”, duke e cilësuar atë një ligj që cenon integritetin e kombit shqiptar. Aleanca dorëzoi më 22 qershor në Kuvend peticionin lidhur me ndryshimin e dy prej neneve të ligjit për “Regjistrimin e popullsisë dhe të banesave”, pikërisht ata që kanë të bëjnë me përmbajtjen në pyetësor të përkatësisë etnike dhe fetare, gjë që nuk u mor parasysh nga ligjvënësit.











