Aldo Bare rekurs edhe ndaj rrëzimit të burgut përjetë

Oct 28, 2011 | 12:36
Aldo Bare në një seancë gjyqësore

Aldo Bare, i akuzuar si drejtuesi i “bandës së Lushnjës” nuk është i kënaqur me rrëzimin e burgimit të përjetshëm ndaj tij në Gjykatën e Apelit. Për këtë ai ka bërë rekurs ndaj vendimit të gjykatës, e cila anuloi dënimin përjetë dhe e ktheu çështjen për rigjykim. Dje, mbrojtësi ligjor i Bares, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs për vendimin e Apelit të Krimeve të Rënda të 3 tetorit, që prishi dënimin me burg përjetë ndaj Bares dhe ktheu çështjen për rigjykim në Shkallën e Parë. Avokati i kërkon Gjykatës së Lartë pushimin e çështjes ndaj klientit të tij për shkelje procedurale. Në rekurs, mbrojtësi Vladimir Meçi pretendon se ndaj klientit të tij, Aldo Bare, është kryer një proces i parregullt ligjor. Sipas avokatit, Bares nuk i është komunikuar akuza në kohën që ndodhej në Turqi, pas arrestimit. Po sipas mbrojtësit, Prokuroria ka kryer veprime hetimore jashtë afateve të lejuara kohore. Njëkohësisht, mbrojtësi ka radhitur edhe të tjera shkelje procedurale të kryera gjatë gjykimit të Aldo Bares. “Në përfundim, kërkojmë nga Gjykata e Lartë që të vendosë pushimin e çështjes për Aldo BareN (Alfred Shkurti) dhe urdhërimin e lirimit të tij të menjëhershëm”, thuhej në rekursin e avokatit Meçi. Në anën tjetër, rekurs të vendimit të Apelit që rrëzoi “burgimin e përjetshëm” për Baren ka bërë edhe organi i akuzës. Mësohet se në rekursin e saj, Prokuroria i kërkon Gjykatës së Lartë kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Apelit me një trupë tjetër gjyqtarësh. Nga Shkalla e Parë për Krimet e Rënda, Bare u deklarua i fajshëm për një sërë veprash të rënda penale, mes të cilave edhe “krijim të organizatës kriminale” dhe “vrasje me paramendim”.
SHKELJET NË SHKALLEN I
Më 3 tetor të vitit 2011, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi prishjen e vendimit të datës 28 shkurt 2011 të Shkallës së Parë për dënimin e Bares me burgim të përjetshëm, për shkak të shkeljeve të rënda procedurale. Referuar vendimit të Apelit, shkeljet procedurale gjatë gjykimit në Shkallën e Parë i kanë mohuar të pandehurit Bare të drejtën për të pasur një proces të drejtë dhe të paanshëm. Moment shkeljeje procedurale Apeli kishte vlerësuar një seancë të zhvilluar në Shkallën e Parë në mungesë të të pandehurit Bare, ndonëse ky i fundit kishte deklaruar pamundësinë shëndetësore për të marrë pjesë, si edhe faktin që nuk donte të përfaqësohej nga avokati, nëse nuk ishte vetë i pranishëm. Shkelje tjetër ishte administrimi nga gjykata i disa akteve ekspertimi balistik, të cilat ishin kryer jashtë kushteve të kërkuara procedurale. Po sipas vendimit të Apelit, në shkelje nga Shkalla e Parë ishte marrë edhe dëshmia e dëshmitarit Gramoz Selmani, në një kohë që nuk sqarohej pozita e tij, si i bashkëpandehur apo dëshmitar. Njëkohësisht, si shkelje është vlerësuar edhe pyetja në Ambasadën Shqiptare në Athinë e tre vëllezërve të Artur Dajës, në një kohë që ata nuk janë identifikuar me dokumente të rregullta.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura