
Qeveria u është rikthyer edhe njëherë privatizimeve strategjike dhe këtë herë bëhet fjalë për Albpetrolin. Dje, në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave është diskutuar lidhur me formulën e privatizimit të kompanisë publike të nxjerrjes së naftës. Deklaratat për këtë proces kanë vite që bëhen, por dje, kreu i Ekzekutivit, Sali Berisha, dha edhe detajet lidhur me procedurën që do të ndiqet. Në fjalën e tij ai u shpreh se privatizimi i Albpetrolit do të bëhet sipas ligjit të miratuar në ’98-n për privatizimin strategjik. Kompania e nxjerrjes së naftës nuk është e vetmja që do të privatizohet. Aktualisht qeveria ka në proces INSIGU-n, që është një nga rastet ku ofertat nuk kanë qenë të shpeshta. Sakaq, Albpetroli, pavarësisht sektorit të rëndësishëm që përfaqëson, ka një të kaluar me borxhe dhe me probleme, por vitin e kaluar kompania shleu ndaj buxhetit 8.1 miliardë lekë për 4 muaj. Në kohën kur ministër i Ekonomisë ishte Dritan Prifti, u bënë deklarata se për vlerësimin e kompanisë dhe auditit do të merrej konsulencë ndërkombëtare. Një dilemë e madhe që i është shtruar qeverisë më herët ka qenë ajo e shitjes te privati apo e dhënies me koncesion të kompanisë. Gjithsesi, me kalimin e vendimit për miratimin e formulës së privatizimit, detajet pritet të zbardhen në vijim. Qeveria kohëve të fundit i ka mëshuar fort pjesës së privatizimeve, ku një nga frazat më të lakuara ka qenë ajo e privatizimit të gjithçkaje, me përjashtim të shkollave, hidrocentraleve dhe spitaleve.
INSIG në proces privatizimi
Kompania shtetërore “INSIG” është prej kohësh në proces privatizimi. Pak kohë më parë u bë dhe ndryshimi i çmimit dysheme, i cili nga 40 milionë euro që ishte, u ul pasi interesi i investitorëve për privatizimin e kësaj kompanie ka qenë shumë i ulët. Përveç kompanive të huaja, tani oferta mund të bëjnë edhe kompanitë shqiptare për privatizimin e INSIG-ut.











