Alarmi në Durrës, 1381 pacientë me kancer në 5 vjet

Oct 10, 2011 | 11:20
Spitali i Durrësit

Gjatë viteve të fundit, shifrat e të pre-kurve nga sëmundja e kancerit janë alarmante. Mjeku onkolog, Kristaq Huta, i cili prej më shumë se 4 vitesh, bashkë me specialistë të tjerë kanë ngritur shoqatën e luftës kundër kancerit në nivel kombëtar, jep alarmin se në qytetin e Durrësit është dyfishuar numri i të prekurve nga kjo sëmundje. Sipas tij, vetëm në pesë vitet e fundit në Durrës janë prekur nga kjo sëmundje vdekjeprurëse 1381 persona. Ndërkaq, në një vit vdesin nga kanceri në këtë qark mesatarisht 200 pacientë. Mjekut të kualifikuar në onkologji, Kristaq Huta dhe ekipit të tij i duhet të vizitojë jo më pak se 80 pacientë në 24 orë. Në Shqipëri vdekjet nga kanceri renditen të dytat. Deri para pak vitesh, prekja nga kjo sëmundje e pashërueshme renditej e katërta dhe vinte pas sëmundjeve të zemrës, mushkërive dhe aksidenteve. Tani, për shumë shkaqe e faktorë, kanceri ka ngjitur dy shkallë, duke zënë vendin e dytë në statistikat e vdekjeve”, u shpreh ai. Sipas tij, duhanpirja, konsumimi i tepruar i alkoolit, ndotja mjedisore, ekspozimi nga rrezet e diellit, konsumimi i ushqimeve të skaduara apo edhe trashëgimia kanë riskun e tyre të madh në prekjen nga sëmundja vdekjeprurëse. “Vetëm në Durrës, sot numërohen 203 persona që vuajnë nga kanceri dhe që marrin shërbim së paku një herë në dy-tri ditë. Këtë vit kemi pasur edhe pacientë të moshës së vogël. Kohët e fundit është vënë re dyfishimi i rasteve të pacientëve të prekur dhe kjo e dramatizon situatën. Na duhen mjekë, financime, mjedise. Kemi fare pak, për të mos thënë fare. Kjo kategori pacientësh kërkon respektim të grafikut të shërbimit. Sëmundja shfaqet në forma të ndryshme dhe ka të tillë pacientë që shërbimin mund t’ia bëjë vetëm mjeku apo infermieri i kualifikuar. E gjithë Shqipëria ka vetëm 80 profesionistë të kualifikuar për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Kjo shifër, po të përkthehet në përqindje, i bie që mjekët onkologë mbulojnë vetëm 9 për qind të nevojave që kanë pacientët”, u shpreh mjeku Huta. Ai theksoi se një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në rritjen e numrit të të prekurve nga kjo sëmundje, është edhe ndotja e mjedisit. “Durrësi si qark ka dhjetëra pika të nxehta mjedisore. Lumi Erzen dhe Ishëm janë të mbushur me mbeturina kancerogjene. Kjo e ndërlikon edhe më tej situatën. Por në Durrës ka pasur edhe kombinat të kimikateve në Porto-Romano, që ka djegien e mbeturinave në natyrë, depozitimin në anë të rrugëve e kanaleve të baterive, akumulatorëve të ndryshëm, filtrave, plastikave, bombolave etj. Të gjitha shkaktojë kancer”, pohoi dr.Kristaq Huta. Shoqata e luftës kundër kancerit i ka afruar Ministrisë së Shëndetësisë një draft në të cilin parashtrojnë mundësinë e ndërhyrjes financiere, si dhe trajtimin e pacientëve të kësaj kategorie në kushtet e regjimit spitalor.

Statistika
Gjatë vitit 1994 janë asistuar 42 pacientë të prekur nga kanceri në Tiranë e Durrës, kurse në vitin 2009 ky numër shkoi në 400 pacientë në këto dy qytete. Vetëm në harkun kohor të viteve 1994-2008, në Durrës janë regjistruar dhe kanë marrë shërbim nga klinika “Ryder” 2530 pacientë. Shoqata kombëtare ka vërejtur se në një vit shënohen në shkallë vendi afro 5000 raste të reja dhe se 70 për qind e tyre kanë nevojë për shërbim paliativ.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura