Një shkelje e sigurisë kibernetike në Festivalin e Filmit Tribeca ka ekspozuar qindra mijëra të dhëna, përfshirë informacione kontakti të personazheve të njohur të Hollywood-it, mes tyre Robert De Niro, Angelina Jolie, Martin Scorsese dhe Francis Ford Coppola.
Studiuesi i sigurisë kibernetike Jeremiah Fowler deklaroi se ka zbuluar rreth 666 mijë të dhëna të ekspozuara, të cilat përfshijnë periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2026.
Sipas raportimeve, në një kopje rezervë të bazës së të dhënave ishte gjetur një dosje me emrin “kontakte”, ku ndodheshin rreth 13 mijë hyrje me emra, adresa, numra telefoni dhe adresa email-i të personave të lidhur me industrinë e filmit.
Mes emrave të përfshirë në këto të dhëna ishin regjisorë si Martin Scorsese, Francis Ford Coppola, Guillermo del Toro dhe Ron Howard, si dhe aktorë të njohur si Robert De Niro, Jennifer Lawrence, Angelina Jolie, Morgan Freeman, Rami Malek, Eva Mendes dhe Michael J. Fox.
Festivali Tribeca ka mohuar se të dhënat personale private të personave të përmendur janë ekspozuar. Një zëdhënës i festivalit tha se pjesa më e madhe e informacionit përbëhej nga të dhëna profesionale, si kontakte të agjentëve, përfaqësuesve të marrëdhënieve me publikun dhe agjencive.
Sipas organizatorëve, informacionet janë hequr menjëherë pas zbulimit të problemit. Megjithatë, studiuesi Fowler theksoi se problemi erdhi si pasojë e një gabimi njerëzor, pasi një skedar rezervë ishte lënë në bazën e të dhënave pa mbrojtje dhe pa enkriptim.
© Panorama.al












