Akuzohej si një nga autorët e vrasjes së ish-agjentit të Antidrogës “Doda”, Gjykata e Elbasanit shpall të pafajshëm Donald Hoxhën! Ja sa burg kërkoi Prokuroria

Dec 30, 2025 | 14:48

Gjykata e Elbasanit rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për shpalljen fajtor dhe burgosjen e një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së Roland Rexhepit (foto poshtë), agjentit të Antidrogës “Doda”, në vitin 2009.

roland-rexhepi

Në përfundim të procesit, gjykata shpalli të pafajshëm Donald Hoxhën (foto poshtë), i cili ishte kapur në Angli dhe ekstraduar nga Londra, teksa në shkurt të këtij viti organi i akuzës mbylli hetimet dhe dërgoi dosjen për proces në Gjykatën e Elbasanit.

Ai ka qenë i dyshuar për veprën penale të vrasjes me paramendim, ndërsa në pretencë seancën e kaluar, Prokuroria kërkoi dënimin me 16 vite burgim. Hoxha akuzohej se kishte pasur rolin e ndihmësit në krim.

Më herët për vrasjen e Dodës, janë dënuar Florind Shabani, Armand Llakaj, Marjus Tafaj, ndërsa Gëzim Balla vijon të jetë në kërkim.

Çfarë deklaroi Prokuroria:

Prokuroria e Elbasanit përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Donald Hoxha për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ të ish-efektivit të policisë Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Donald Hoxha, i akuzuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.833/3 të vitit 2009, prokuroria arriti në përfundimin se shtetasi në fjalë ka kryer veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/a dhe 25 i Kodit Penal ndaj viktimës R.R. ish-efektiv i policisë i vrarë në vitin 2009. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan vijon hetimet në lidhje me zbulimin dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm në lidhje me këtë ngjarje”, njofton Prokuroria.

donald hoxha

Për ekzekutimit e ish-efektivit të antidrogës, deri tani janë arrestuar 4 autorë, Marjus Tafa dhe Armando Llakaj, të dy të dënuar me 24 dhe 23 vite burg, Florind Shabani, i ekstraduar në fillim të janarit 2022 nga Gjermania, si dhe Donald Hoxha. Ndërkohë në kërkim rezulton Gëzim Ballën. Të pestë dyshohet se në bashkëpunim kanë ekzekurtuar ish-oficerin e krimeve.

Si u vra ish-agjenti Roland Rexhepi, me nofkën “Doda”

Ekzekutimi i ish-oficerit të Policisë, Roland Rexhepi u realizua mëngjesin e 23 korrikut të vitit 2009. Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi ndaj tij është qëlluar me breshëri nga dy armë zjarri të llojit automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Autorët ishin të maskuar, por ekspertët e kriminalistikës kanë mundur të sigurojnë provat e ADN-së të gjetura në një motor, në bishta cigaresh apo në një kapuç të gjetur më vonë.

Krahasimi i tyre ka bërë të mundur zbardhjen e identiteteve të autorëve, edhe pse dy të dënuarit nuk e kanë pranuar asnjëherë krimin. Në rastin e Florind Shabanit kanë qenë autoritetet hetimore nga Gjermania ato që kanë sjellë provat e ADN-së së tij pasi rezulton i dënuar në shtetin gjerman për lëndë narkotike. Autoritetet shqiptare kanë krahasuar ADN-në e tij me atë të babait, Ismail Shabani.

Ndërkohë që Policia e Shtetit nuk kishte zbardhur ende vrasjen e ish-efektivit, në një atentat me armë zjarri dy vite më vonë vritet në qendër të Elbasanit biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit të antikrimit në Policinë e Elbasanit.

ekstradimi i donald hoxhes

Rexhepi u ekzekutua më 30 dhjetor të vitit 2011. Në pamjet e kamerave të sigurisë duket një person që largohet duke çaluar, pasi ndaj atentatorit u kundërpërgjigj me armë biznesmeni, i cili humbi jetën pak momente më vonë.

© Panorama.al

Te lidhura