I dha ryshfet avokatit të shtetit, GJKKO dënon me 10 muaj burg Aleksandër Lahon! “Rrumi i Shijakut” akuzohet për tjetërsimin e 45,000 m2 tokë te Gjiri i Lalzit

Feb 6, 2025 | 13:20

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka dënuar me 10 muaj burg Aleksandër Lahon, i njohur ,me nofkën Rrumbi i Shijakut’, në lidhje me akuzën për korrupsion, bën me dije gazetarja Klodiana Lala.

Aleksander Laho

Nga hetimet e SPAK rezulton se, Irgen Kërçuku, i cili në atë kohë mbante detyrën e avokatit të shtetit, ka marrë një shumë prej 900 000 lekësh të reja nga Aleksandër Laho, për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit si dhe për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

Aleksandër Laho akuzohet se ka tjetërsuar 45 mijë metra katrorë tokë në bregdetin e Gjirit të Lalzit.

Sipas të dhënave në dosjen hetimore, Prokuroria ka prova të forta, siç janë 2 video që u gjetën në telefonin e Aleksandër Lahos, që mendohet të jenë regjistruar në vitin 2017.

“Rrumi” i Shijakut shfaqet duke i dhënë ryshfet përfaqësuesit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, në mënyrë që ky i fundit të tërhiqej nga ankimi i procesit gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.

Njoftimi i GJKKO

  1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale, që i përket procedimit penal nr. 235, të vitit 2019, në ngarkim të të pandehurit Aleksandër Laho, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal”.
  2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Irena Gjoka dhe Ardit Mustafaj, me vendimin Nr. 12, datë 06.02.2025 vendosi:
  3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Aleksandër Laho, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021) dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 1 (një) vit e 3 (tre) muaj burgim.
  4. Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit Aleksandër Laho i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 10 (dhjetë) muaj burgim.
  5. Llogaritja e dënimit fillon nga data e ekzekutimit të vendimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme, në referim të parashikimeve të nenit 18, të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
  6. Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore (sipas procesverbalit te dokumentimit te tyre) i ngarkohen të pandehurit.
  7. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Tiranë, më datë 06.02.2025

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

© Panorama.al

Te lidhura