Aktori shqiptar: Jetoj në Hollywood mes milionerësh dhe askush nuk e ekspozon luksin si disa shqiptarë, ku gabon Rama

Jan 9, 2019 | 12:52

KLOTILDA HARKA/ Marko Caka është aktori shqiptar, që ka arritur të prekë magjinë e Hollywood-it, duke intepretuar në 80 filma të industrisë së famshme.

Por në këtë atmosferë festash emri i tij u komentua shumë në Shqipëri, pas një statusi ku shprehte revoltën ndaj të ashtuquajturve VIP-a shqiptarë, që ekspozojnë luksin e shfrenuar në “Instagram”. Marko u shpreh se paguhet 4 herë më shumë se Kryeministri Edi Rama, por nuk bën jetë luksi në SHBA ashtu si të famshmit e rrjeteve sociale.

marko cako

Në këtë intervistë për “Panorama Plus” ai tregon më shumë se çfarë e nxiti të festonte në një mënyrë të tillë, jetën mes yjeve të famshëm të kinemasë që i lakmon gjithë bota, famën, paratë dhe pse s’e ka gjetur ende dashurinë.

Një status i yti ditën e Krishtlindjes bëri xhiron e rrjeteve sociale, ku ti vendose të festoje pranë skamjes. Çfarë mendon se është false tek ata VIP-at shqiptarë, ndryshe të quajtur instagramistë që thjesht shesin mend?

Është pikërisht kjo e fundit, që disa “instagramistë” shqiptarë, duke përdorur këtë mjet social komunikimi të fuqishëm si dhe duke patur shumë ndjekës, arrijnë të provokojnë një pjesë dërrmuese të shoqërisë shqiptare, që janë në standardin më të ulët të jetesës, me gjeste mendjemadhësie që nuk janë gjë tjetër vetëm jashtë realitetit shqiptar.

Dhe këtë e bëjnë ata individë që nuk bëjnë asnjë punë tjetër ose burimi i të ardhurave të tyre të vë në pikëpyetje. Në një mënyrë apo tjetër, të mburresh, okay, është në gjenin e njeriut, por ama duhet të bësh gjëra të mëdha produktive ose që flasin vetë pa qenë nevoja të vësh në dukje asetet fizike për të tërhequr vëmendjen. Është pikërisht formimi që atyre u mungon, e mua ashtu si gjithë shqiptarëve të tjerë na shqetëson ky realitet. Dhe një faj të madh kanë edhe mediat kryesore që merren me këta elementë, duke i bërë të famshëm.

marko caka

Ti ke arritur të depërtosh në Hollywood, si të tingëllon etiketimi VIP për disa personazhe shqiptarë?

Nga çfarë përmenda më sipër, e thashë nga fakti se s’duhet të harrojmë që jemi një vend në tranzicion me probleme shumë të mëdha sociale, me GDP-në më të ulët në botë dhe renditemi akoma me vendet e treta të varfra, por që jemi më të veçantët, që duam t’i përkëdhelim personazhet që prodhon ekrani televiziv, duke u dhënë statusin VIP.

Duke krijuar një trend se kush ka bërë para apo ka vënë pasuri nga burime të ndryshme dhe të habitshme, këta njerëz janë më të dobishmit. Po të ishte kështu i bie se edhe kriminelët, që kanë krijuar pasuri të frikshme në Shqipëri të kenë këtë status dhe një gjë e tillë ka ndodhur. Kemi arritur deri aty sa bëjmë VIP edhe prokurorë apo gjyqtarë, politikanë e bankierë, apo këngëtarë dasmash dhe që merremi me ta edhe me bijtë e tyre se çfarë veshin, apo ku darkojnë në lokalet luksoze.

Pra, ky është absurditeti shqiptar që nuk u jep rëndësi aspak njerëzve me vlera humane, apo atyre me vlera intelektuale apo krijuese të artistëve, por merren me nivelin më të ulët të shoqërisë se kush mburret më shumë me gjërat firmato. Ky është një fenomen që ndodh vetëm në vendet e treta, ku varfëria është ulur këmbëkryq kudo në çdo pjesë të shoqërisë.

Ndër të tjera u shprehe se e ke pagën sa katërfishin e Kryeministrit, Edi Rama. E the këtë për të treguar sesa e ka vlerën një kryeministër shqiptar, apo për të treguar vlerën e një aktori shqiptar në SHBA?

Po e them përsëri, mbase edhe me shaka, se nëse i ngeli qejfi Kryeministrit, atëherë të punojë shumë për të rritur mirëqenien e shqiptarëve që të mos renditemi me vendet e varfra, me pagat më qesharake në botë dhe vetë si politikanë të mburren me veshje firmato.

Ju e dini se jetoj në qytetin me standardin më të lartë të jetesës në botë dhe rrogat, ku më pak e ku më shumë, është logjike se janë më të larta se e zyrtarëve qeveritarë në Shqipëri.

 

marko cako1

Sa është paga jote e thënë me shifra dhe ç’jetë mund të bësh me të në Amerikën e shtrenjtë?

Me sinqeritet të plotë, nuk ishte aspak qëllimi im te paga dhe kjo është vënë re edhe te reagimi i ndjekësve të mi në rrjetet sociale, që nuk janë fokusuar tek ajo, por tek mesazhi që kam dashur të përcjell.

Pagën e përmenda si argument ndaj atyre që nuk më njohin, që të mos mendojnë se këtë pakënaqësi apo revoltë e shpreh një njeri i papunë, përkundrazi, jam shumë aktiv dhe përfaqësoj të gjithë ata shqiptarë të Diasporës, që falë vullnetit të tyre arrijnë të sfidojnë edhe kohën edhe vështirësitë e vendit të huaj, duke siguruar të ardhurat e tyre me djersën e ballit e duke përballuar standardin e lartë të jetesës së vendeve më të zhvilluara, pa qenë nevoja të mburremi për të bërë publike mënyrën tonë të jetesës apo luksin që dikush e ka siguruar.

Është logjike që pagat janë shumë më të larta se në Shqipëri, por mos të harrojmë se shpenzimet e jetesës janë akoma shumë më të shtrenjta, pa thënë marramendëse, në krahasim me Shqipërinë.

Ti ke bërë realitet ëndrrën më të madhe, të luash në Hollywood. Si është jeta e aktorëve në paskuinta, a janë ata normalë?

Absolutisht që aktorët janë njerëz normalë dhe shumë prej tyre të thjeshtë e të dashur. Unë kam fatin edhe t’i përjetoj në ambientet e punës në sheshxhirim, por edhe të udhëtoj me ta dhe janë njerëz të shkëlqyer, që nuk i dallon aspak nga pasuria e tyre. Kurrë nuk vishen firmato apo me aksesorë të shtrenjtë.

Më kujtohet një yll kinemaje kur po luanim në sheshxhirim, që për hir të rolit, në vitet ‘70 si bos mafioz, ai duhej të vinte orën e varëset e shtrenjta dhe për çdo dubël kërkonte nga dizenjuesja e produksionit, që t’i hiqte dhe t’i vendoste përsëri se aspak nuk i duronte aksesorët e florinjtë në trupin e tij. E sa e sa shembuj të tjerë të yjeve, që i kam njohur nga afër, tregojnë gjeste humane.

marko caka1

Me çfarë syri të kanë parë ty amerikanët, si shqiptarin që arriti të depërtojë me portretin e veçantë si aktor i personazheve të epokës së kaluar?

Kam pasur fatin të pëlqehem nga regjisori i madh Steven Spielberg me një skenë të vogël të një karakteri modest të reporterit të viteve ‘50-’60 apo të shefit të Policisë ts viteve ’70, që pëlqimi te të tjerët të ishte më i lehtë në projekte filmike të produksioneve të mëdha dhe të regjisorëve me çmime Oscar, si i ai i doktorit në vitet 1900, apo i një dizenjuesi artistik të viteve 1850, apo i gangsterit në vitet 1920, e sa e sa të tjera role. Pra, është një privilegj që më është krijuar nga drejtorët e kasteve, bashkë me pëlqimin e regjisorëve, të cilët u japin shumë rëndësi edhe roleve të mia të vogla skenike.

Njihesh si shqiptari i “Fast and Furious” krah aktorëve të famshëm. Si arrite të kesh sukses, duke qenë se nuk ke lindur në SHBA dhe s’je fëmija i një aktori apo regjisori të madh?

Gjithçka ka nisur me një audicion të garave të shpejtësisë, tre vite më parë sepse unë jam një shofer i çmendur pas shpejtësisë, që casting director të vendoste të më jepte një karakter. Do të luaja rolin e policit në një skenë me “The Rock” e Jason Statham.

Madje, kur kam marrë licencën e shoferit profesionist pas “Fast and Furious” të fundit, instruktori më tha që: Ti je shoferi më i famshëm i kësaj kategorie për Nju Jorkun. Dhe u ndjeva shumë i privilegjuar me këtë vlerësim, sepse kam filluar të marr role të shoferit personal të yjeve të filmit në disa skena, që do të shfaqen së shpejti në ekranin e madh.

Ç’të impresionon vërtet nga loja e aktorëve të mëdhenj dhe a mund të përmendësh emra?

Më impresionon shumë talenti i tyre, që nuk janë rastësisht aty ku janë. Më impresionon që janë korrektë me orarin dhe vijnë shumë të përgatitur dhe që janë shumë profesionalë, dinë se çfarë do të bëjnë pa qenë nevoja për t’i drejtuar. Dhe më kryesorja, vazhdimisht pyesin, nuk bëjnë të diturin, por duan të bashkëpunojnë sepse çdo regjisor ka filozofinë e tij dhe këndvështrimet e tij në sheshxhirim.

Ata që më kanë impresionuar më tepër janë; Leo Di Caprio, Tom Hanks, George Clooney, Sarah Jessica Parker, De Niro, James Spade, Julia Roberts, Emily Blunt, e shumë të tjerë se bëhet fjalë që kam qenë prezent në mbi 80 filma. S’dua të lë pa përmendur tre aktorë, me të cilët kam shumë skena; Hug Jackman, Meryl Streep e Keany Reaves. Madje me Reaves kam punuar 1 javë rresht gjithë natën dhe ngaqë skenat ishin aksion me gjakosje, kujtoj se kur vinim te kioska e produksionit i përgatisja çaj dhe kafe, ngaqë duart i kishte me make up. Shumë i thjeshtë mund të them, një xhentilman.

 

marko caka2

Ke arritur të shkëmbesh numrat e telefonit me ta dhe sa e mundur është t’i kesh miq?

Po, në disa kam arritur të kem edhe komunikim, madje edhe të udhëtoj në destinacionet e tyre si në sheshxhirim, hotele, apo në fluturimet e tyre. Ata bëhen shumë miq kur të njohin mirë se kush je dhe fati i punës më ka sjellë shumë pranë tyre për të mësuar shumë gjëra nga eksperienca e tyre.

Në kohët që jetojmë, diskutohet fakti nëse fama dhe pasuria shkojnë paralel me lumturinë. A janë të lumtur aktorët e mëdhenj të Hollywood-it?

Absolutisht yjet e Hollywood-it jo gjithmonë janë të lumtur, sepse janë njerëz si ne. Dhe sado që janë milionerë, ata janë shumë të ndjeshëm ndaj problemeve që rrethohen dhe që u krijohen. Më kujtohet para disa muajve po udhëtoja me një yll kinemaje, e cila po qante gjatë gjithë rrugës dhe miqtë e saj po e ngushëllonin në telefon për zjarrin e madh në Kaliforni dhe që i kishte shkrumbuar të gjithë vilën dhe që kishte arritur të shpëtonte vetëm qenushin e saj. Pra, ajo po përjetonte një dramë, duke humbur shtëpinë me të gjithë kujtimet e saj. Pra, përveç jetës së bukur plot shkëlqim në evente dhe ceremoni të ndryshme të tapetit të kuq, ata kanë edhe anën tjetër të jetës normale, me të mirat e të këqijat e saj.

A ke një lidhje dashurie në SHBA, apo nuk ke kohë për jetë private?

Jo, akoma për fat të keq, ku dhe një arsye e ka edhe ngarkesa e madhe, por edhe fati që nuk më ka dalë një princeshë që të ma rrëmbejë zemrën apo t’ia rrëmbej zemrën. Këto janë fatet e jetës, se kushedi ku ndodhet shpirti binjak. Zoti e di më mirë sesa e dua familjen dhe mbase më ka rezervuar vetëm të gjej gruan perfekte ku probabiliteti është shumë më i vogël dhe jo aq i zakontë.

Ka aktorë shqiptarë që përpiqen të depërtojnë nëpërmjet teje?

Në industrinë e filmit që ndodhem unë, mundem vetëm t’u sugjeroj dhe t’i orientoj se çfarë duhet të bëjnë. Sepse depërtimi ndodh vetëm sipas kritereve të aftësisë së tyre nëpërmjet audicioneve.

Çfarë synimesh i ke bërë vetes dhe a ekzistojnë kompromiset në Hollywood?

Unë shumë gjëra, që ishin ëndërr për mua, i kam realizuar, pra, të jem pjesë e unionit të industrisë më të madhe, të jem pjesë e një filmi të madh dhe regjisorit më të mirë, e kam realizuar. YlIin e kinemasë nuk e kam ëndërruar kurrë se vazhdoj të jem me këmbë në tokë dhe për këtë jam i qetë. Ndërsa për synimet e tjera jam gjithnjë kërkues ndaj vetes për të marrë maksimumin dhe duke qenë në vendin e mundësive, nuk mungojnë kurrë edhe surprizat e mëdha.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

© Panorama.al

Te lidhura