Gjatë protestës së 50-të kundër qeverisë, aktivisti Ilir Xhemalaj u ndal te ajo që ai e cilësoi si presion ndaj protestuesve, bizneseve dhe mediave që raportojnë mbi tubimet e përditshme, duke përmendur sulmin arbitrar të Tatimeve ndaj “Prestige Resort”.
Xhemalaj theksoi se “News 24”, një media që transmeton protestën që nga dita e parë është përballur me presion dhe kërcënime nga institucionet tatimore.
“Sapo më ka ardhur një denoncim, ku një media e cila ndjek 24 orë në ditë protestën këtu në shesh, e ka transmetuar live dhe nuk është turp t’ia themi emrin, News 24, sot është kërcënuar. I është bërë presion nga Tatimet e këtij shteti”, deklaroi ai.
Xhemalaj u shpreh se sot ky pushtet ka më shumë frikë dhe frika e tij është që njerëzit nuk ikin nga sheshi.
“Ne do të rrimë këtu në shesh deri në largimin e kësaj qeverie, të këtij sistemi. Rama në burg, Berisha në burg”, përfundoi ai.
Aktivisti Ilir Xhemalaj: Vazhdon akoma, në ditën e 50-të, presioni ndaj të gjithë nesh. Nëse në ditët e para u morën me ne, aktivistët, më pas vazhduan me të gjithë ata që kanë biznese, ndërsa sot vazhdojnë me mediat.
Sapo më ka ardhur një denoncim, ku një media e cila ndjek 24 orë në ditë protestën këtu në shesh, e ka transmetuar live dhe nuk është turp t’ia themi emrin, News 24, sot është kërcënuar. I është bërë presion nga Tatimet e këtij shteti.
Ndaj thirrja ime është që ky shtet të lërë presionet mbi aktivistët, mbi njerëzit, të lërë presionet mbi çdo media që transmeton këtë protestë dhe të ushtrojë presion mbi Snezhana Paunoviçin, Vuçiçin, Daçiçin dhe të gjithë ata të tjerë që nëpërkëmbin popullit shqiptar.
Nuk duhet në asnjë mënyrë të heqim fokusin nga kjo protestë. Ky pushtet sot ka më shumë frikë dhe frika e tij është që njerëzit këtu nuk ikin. Ne do të rrimë këtu në shesh deri në largimin e kësaj qeverie, të këtij sistemi. Rama në burg, Berisha në burg.
© Panorama.al











