Tensione në Kuvend për shkak të raportimit të Avokatit të Popullit, Endri Shabani. Pasi kreu i Kuvendit, Niko Peleshi prezantoi pikën e radhës të rendit të ditës për raportimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025, Gazment Bardhi kundërshtoi duke e cilësuar si provokim ndaj opozitës.
Kreu i grupit të PD tha se Shabani është ushtar i Ramës dhe Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim për çështjen që ata kanë depozituar kundër zgjedhjes së tij si Avokat i Popullit.
Ndërsa në sallë do të dilte Shabani, deputetët demokratë rrethuan dhe bllokuan Foltoren. Peleshi ndërpreu seancën për 5 minuta.
“S’mund ta provokoni opozitën duke sjellë për të raportuar në këtë seancë një njeri që është zgjedhur në kundërshtim flagrant me Kushtetutën. Zotëria, në një falsifikim të pastër të procedurave parlamentare, ka keqpërdorur vullnetin e deputetëve të opozitës për të uzurpuar një pozicion kushtetues. Për sa kohë kjo cështje është në shqyrtim në GJK, të shkojë të mbajë fjalim te partia e vet, por jo të vij edhe të sillet këtu si Avokat i Popullit.
Nuk kemi nevojë të dëgjojmë një njeri që s’ka ngritur kurrë zërin gjithë këto muaj, është sjellë si ushtar partie dhe asnjë ditë të vetme si Avokat i Popullit. Largojeni nga salla e parlamentit! Keni shkelur Kushtetutën, grupi ynë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Sa kohë nuk ka vendim, respektoni këtë sensibilitet të opozitës”, tha Bardhi.
© Panorama.al














