Një i ri është rrëmbyer për pak momente dhe dhunuar pas një konflikti për qiranë e papaguar të dy mjeteve.

Tre persona janë arrestuar nga Policia e Lezhës pasi dyshohet se kanë marrë me forcë një 28-vjeçar dhe e kanë dhunuar.
Burime zyrtare thanë sot (20 korrik) se në pranga kanë rënë dy vëllezër, shtetasit R. M., 28 vjeç dhe R. M., 22 vjeç, të cilët janë administratorë të subjektit ku ishin marrë automjetet me qira, si dhe kushëriri i tyre E. M., 22 vjeç.
Ngjarja u zbulua pas kallëzimit të një 70-vjeçari, i cili njoftoi Policinë se djali i tij 28-vjeçar ishte marrë me forcë dhe ishte transportuar nga disa persona me automjet.
“Pas marrjes së informacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë reaguan menjëherë, duke bërë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e tre të dyshuarve pak minuta pas kallëzimit. Nga hetimet paraprake dyshohet se tre personat kanë vepruar me vetëgjyqësi, duke e marrë me forcë 28-vjeçarin në një karburant në fshatin Derven, pasi pretendonin se ai nuk kishte shlyer pagesat për dy automjete të marra me qira në subjektin e administruar nga dy vëllezërit”, tha policia vendore.
3 shtetasit e kanë transportuar 28-vjeçarin te në një karburant në fshatin Shënkoll, ku e kanë dhunuar dhe më pas e kanë lënë në rrugë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit i kanë kaluar prokurorisë vendore.
Njoftimi i Policisë Lezhë:
“Morën me forcë, në automjet, dhe dhunuan një 28-vjeçar, me pretendimin se nuk kishte paguar qiratë, për 2 automjete të marra në subjektin e tyre, arrestohen 2 vëllezër (administratorë të subjektit) dhe kushëriri i tyre.
Sekuestrohet automjeti në të cilin u mor me forcë, dhe u transportua nga Kruja në Lezhë, 28-vjeçari.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimit të një 70-vjeçari, se djali i tij, 28 vjeç, ishte marrë me forcë, në automjet, dhe transportuar, nga disa shtetas, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë mundësuan identifikimin, lokalizimin dhe kapjen, pak minuta pas kallëzimit, të 3 autorëve të dyshuar të rastit, shtetasve R. M., 28 vjeç dhe R. M., 22 vjeç, vëllezër, si dhe kushëririt të tyre, shtetasit E. M., 22 vjeç.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 3 shtetasit, me vetëgjyqësi, kanë marrë me forcë, në automjet, 28-vjeçarin, në një karburant në fshatin Derven, me pretendimin se ky i fundit nuk kishte paguar paratë, për 2 automjete të marra me qira, në subjektin që administronin 2 vëllezërit e arrestuar.
3 shtetasit e kanë transportuar 28-vjeçarin te në një karburant në fshatin Shënkoll, ku e kanë dhunuar dhe më pas e kanë lënë në rrugë.
28-vjeçari u transportua në spitalin rajonal të Lezhës, ku mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe u largua në banesë, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Vetëgjyqësia” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, kryer në bashkëpunim.
© Panorama.al











