
Tri makina luksoze, “Ferrari”, “Porsche Cayenne” dhe një “BMW”, u bllokuan dje nga policia, pasi rezultuan të vjedhura jashtë vendit. Makinat u bllokuan gjatë një aksioni të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe efektivave të RENEA-s, i zhvilluar në territorin e Tiranës. Gjatë këtij aksioni u arrestuan dy persona në kërkim dhe dy të tjerë që mbanin pistoleta pa leje. Aksioni filloi prej orëve të para të mëngjesit dhe zgjati deri në 16:00. Gjatë kësaj kohe, policia veproi me masa operacionale në gjithë territorin e Tiranës. Zyrtarisht, Policia tha dje se operacioni do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim dhe “misioni” i policisë është kapja e personave në kërkim, makinave të vjedhura e të trafikuara, si dhe armëve pa leje, me qëllim parandalimin e krimit. Përqendrimi i forcave të policisë nuk ka qenë vetëm brenda qytetit, por edhe në periferi, kryesisht në Vaqarr, në fshatrat përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, në Kamzë, etj.
MAKINAT E VJEDHURA
Gjatë aksionit të djeshëm në rrugë, oficerët e Antitrafiqeve kanë bllokuar 10 makina luksoze, kryesisht ato që ishin me targa të huaja. Makinat e ndaluara janë verifikuar nëpërmjet Interpolit nëse janë të vjedhura apo jo. Në përfundim të verifikimeve, vetëm 3 prej makinave rezultuan të jenë të vjedhura, një “Ferrari”, “Porsche Cayenne” dhe një “BMW”. Sipas burimeve nga policia mësohet se të tre makinat që rezultuan të vjedhura jashtë kufijve të Shqipërisë, në Itali e Angli, është hera e dytë që bllokohen si të tilla, megjithëse ende nuk është sqaruar se si janë zhbllokuar dhe lëviznin nëpër Tiranë. Njëra prej tyre, makina tip “Ferrari”, për herë të parë është bllokuar në portin e Vlorës, më 15 korrik të këtij viti, ndërsa së fundmi ishte parë të qarkullonte në kryeqytet. Sipas policisë, automjeti luksoz figuron në pronësi të një shtetasi shqiptar me iniciale D. V., i cili e kishte blerë në Itali. Makina është prodhuar në vitin 2001 dhe iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm të Interpolit, dhe nga verifikimi rezultoi se ishte vjedhur në vitin 2009, në San Marino të Italisë. Drejtuesi i mjetit ka deklaruar se e kishte blerë me dokumentacion të rregullt dhe nuk ishte në dijeni që makina ishte e vjedhur. Megjithatë, ndaj tij dhe dy personave që kishin makinat e tjera të bllokuara, nisi procedim penal nga ana e policisë.
ARMET PA LEJE
Forcat e Policisë se Tiranës arrestuan gjatë operacionit të djeshëm edhe dy persona, të cilët gjatë kontrollit iu gjetën armë pa leje. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, është arrestuar në afërsi të Kombinatit, 23-vjeçari Belind Luli, të cilit i është sekuestruar një pistoletë pa leje, me mbishkrimin “Bereta Bruni”. Ndërsa në orët e pasdites është kryer arrestimi edhe i 22-vjeçarit Elidon Markvata, i cili u ndalua në afërsi të Urës Teknologjike dhe iu gjet një pistoletë tip “TT”, që ai e mbante pa leje. Gjithashtu, policia arrestoi edhe dy persona të shpallur në kërkim për vjedhje.
Personat e shoqëruar për verifikim
Pjesë e planit operacional që mori dje Policia e kryeqytetit, ishte edhe shoqërimi për verifikim i personave që mund të cilësoheshin si të dyshimtë. Në Drejtorinë e Policisë furgonët e RENEA-s sollën mesditën e djeshme dhjetëra persona, të cilët kanë qëndruar për disa orë në polici, duke iu nënshtruar procesit të verifikimit. Burimet thanë se të shoqëruarit janë persona me precedentë të mëparshëm penal dhe janë ndaluar në fshatrat periferike të Tiranës, Ndroq dhe Domje.
ETLEVA DELIA











