Aksioni i EULEX, 6 të arrestuar në Kosovë

Oct 5, 2011 | 15:39

Gjatë ditës së sotme, policët e EULEX-it nga njësia për hetimin e krimit të organizuar  kanë kryer një operacion të bastisjes dhe arrestimit, lidhur me hetimet ndaj pohimeve për korrupsion dhe keqpërdorime në prokurim.

Në një komunikatë të EULEX-it, thuhet se “keqpërdorimet e pohuara kanë të bëjnë me procedurat e prokurimit në Policinë e Kosovës dhe bizneseve që e furnizojnë policinë me armë dhe municione. Për shkak të këtyre keqpërdorimeve të pohuara, buxheti i Policisë së Kosovës është dëmtuar me shuma që mund të arrijnë deri në miliona euro, gjë që e ka bërë Policinë e Kosovës viktimën kryesore të kësaj afere”.

Gjithsej janë bërë gjashtë arrestime, duke përfshirë tre punëtorë biznesi, dy zyrtarë nga administrata e PK-së dhe një punëtor nga Ministria e Punëve të Brendshme, thuhet në komunikatë.

“Përveç kësaj, janë bastisur edhe dymbëdhjetë lokacione të ndryshme në Kosovë, duke përfshirë shtëpi private, objekte biznesi dhe zyra publike. Po ashtu, si pjesë e këtij hetimi, policia gjermane e ka bastisur një objekt biznesi dhe një shtëpi private në Gjermani”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.(rel)

© Panorama.al

Te lidhura